Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, gjatë një takimi në Zagreb me ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Damir Krstiqeviq, nënvizoi nevojën për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet dy shteteve.
Në këtë takim u bisedua lidhur me situatën aktuale të sigurisë në të dy vendet, në rajon dhe më gjerë, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.
Ministri Berisha e njohu homologun Krstiqeviq mbi zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë mbi procesin e tranzicionit të FSK-së, procedurat ligjore dhe demokratike në drejtim të përmbylljes së procesit të këtij tranzicioni, krijimin e bazës ligjore për mandatin e ri të FSK-së dhe detyrat e dala pas votimit të tri projektligjeve në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i FSK-së kërkoi mbështetje të fuqishme nga ministri Krstiqeviq për anëtarësimin e Kosovës në iniciativa rajonale dhe globale të sigurisë, duke treguar gatishmërinë e vendit tonë për të kooperuar në operacionet për mbështetjen e paqes së bashku me Kroacinë si shtet anëtar i NATO-s.
Ndërsa, ministri kroat ri-konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për mbështetjen e gjithanshme të Kosovës duke u zotuar se do ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse me teknikë dhe personel, si dhe do ta përkrahë në rrugën drejt anëtarësimit në Iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut-A5 dhe RACVIAC.