Kroacia e ka mposhtur Portugalinë me rezultat 2-1 në miqësoren e zhvilluar në Lisbonë, e cila ishte e fundit para fillimit të Euro 2024.
Pjesa e parë u dominua totalisht nga kroatët të cilët patën disa raste të njëpasnjëshme dhe atë e mbyllën me epërsi minimale.
Kroatët kaluan në avantazh në minutën e tetë me anë të Luka Modric i cili realizoi për 1-0 nga pika e bardhë e penalltisë.
Ata nuk u ndalën më kaq dhe iu afruan golit të dytë vetëm disa minuta më vonë me anë të Lovro Majer (13’) por ai u tregua i pasaktë përballë portierit.
Një tjetër rast të mirë shënimi e pati edhe Josko Gvardiol në minutën e 21-të por aksionin e tij të bukur individual e ndërprenë mbrojtja portugeze.
HT | 🇵🇹 0:1 🇭🇷
End of the first half: #Croatia with a one-goal advantage – and it could have been more! #PORCRO
#EURO2024 #Family #PokažiSrce #Vatreni❤️🔥 pic.twitter.com/1j9OQzDgUD
— HNS (@HNS_CFF) June 8, 2024
Me të filluar pjesa e dytë Portugalia barazoi shifrat në 1-1 me anë të Diogo Jotas i cili shënoi nga afërsia pas asistimit të Nelson Semedos.
Kroacia riktheu sërish epërsinë në minutën e 56-të me anë të Ante Budimir i cili e pati të lehtë ta çonte në rrjetë topin e kthyer nga traversa shkaku i goditjes së Mario Pasalic për rezultatin 2-1.
Deri në fund Portugalia pati dy raste shënimi me anë të Vitinhas dhe Ruben Dias, por nuk arritën t’i barazojnë shifrat dhe u desh të pajtoheshin me humbjen.
Kroacia e cila bën pjesë me Shqipërinë në grupin B, ndeshjen hapëse të Euro 2024 do ta luajë ndaj Spanjës më 15 qershor, ndërsa Portugalia do të ketë punë me Republikën Çeke më datë 18 qershor./Telegrafi/