Kroatët po votojnë më 17 prill në zgjedhjet parlamentare, që po shihen si test për popullaritetin e kryeministrit, Andrej Plenkoviq, dhe partisë konservatore në pushtet, HDZ, që opozita e ka akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.
HDZ (Bashkimi Demokratik Kroat) po shpreson që të përdorë mbështetjen, pasi kjo parti mbikëqyri anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, miratoi përdorimin e euros dhe shteti përjetoi një bum turistik.
Kjo parti ka mbizotëruar skenën politike, që kur Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia më 1991.
Analistët thanë se shumë skandale korruptive, përfshirë edhe emërimin që Plenkoviq bëri të prokurorit të shtetit i cili njihet se ka lidhje me persona të përfshirë në afera korruptive, mund të bëjë që HDZ-ja të humb shumicën.
Pllenkoviq ka mohuar çdo keqbërje.
Afër 3.7 milionë votues do të zgjedhin në mesin e më shumë se 2.000 kandidatëve. Sondazhet e para pritet të dalin disa minuta pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, ndërkaq rezultatet zyrtare pritet të publikohen në ditët në vijim.
Sondazhi i fundit i IPSOS tha se HDZ-ja pritet të fitojë 60 ulëse në Parlamentin prej 151 vendesh, apo më shumë ulëse se çdo parti tjetër.
Megjithatë, ky numër i mandateve nuk është i mjaftueshëm për një shumicë të plotë, andaj pritet të zhvillohen bisedime për koalicion qeverisës.
Rivali kryesor i Plenkoviqit, presidenti Zoran Milanoviq, i cili ka deklaruar se do të japë dorëheqje për t’u bërë kryeministër nëse Partia Social Demokrate e tij (SDP) merr pushtetin, me ndihmën e partive më të vogla.
“Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e Kroacisë. Kroacia nuk mund të kalojë edhe katër vjet të tjera nën sundimin e Pllenkoviqit”, tha Millanoviq përmes një videoje të publikuar në Facebook.
Nëse rezultatet e vendosin SDP-në parti të parë, kjo do të mund të ndryshonte qëndrimin e shtetit në shumë çështje të mëdha, sikurse është mbështetja për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Milanoviq kundërshton ndihmën për Ukrainën.
Koalicioni i udhëhequr nga SDP-ja, i quajtur Lumenjtë e Drejtësisë, parashikohet të dalë i dyti në zgjedhje me 41 ulëse në Parlament, ndërkaq Lëvizja Atdheu e krahut të djathtë dhe partia Mozemo pritet të dalin në vendin e tretë, përkatësisht të katërtin, me 15, respektivisht 11 ulëse parlamentare. /rel/