Telegrafi

Kroacia e interesuar për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën

Ndonëse disa vende të rajonit po vazhdojnë bllokadën ekonomike ndaj Kosovës, disa vende tjera janë të interesuara ta avancojnë këtë bashkëpunim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, tha se takimi me ambasadorin kroat u përqendrua në promovimit dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ambasadori kroat në Kosovë, Zllatko Kramariq, tha se përvec stabilitetit dhe paqes në rajon dhe në Kosovë, Kroacia është e interesuar edhe për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Shkëmbimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë gjatë vitit të kaluar ka qenë rreth 40 milion euro.

Për avancimin e këtij niveli, Kramariq përmendi mundësinë e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe energjetikës si dhe bashkëpunimin ndërmjet komunave të të dy vendeve.

Por, çështja e vizave vazhdon të jetë problematike edhe më tej, pasi qytetarët kosovarë që udhëtojnë në Kroaci duhet të pajisen me viza.

Ambasadori kroat tha se kanë ndërmarrë hapin e parë dhe për këtë tani kosovarët nuk kanë nevojë të shkojnë në Shkup ndërkaq janë të liruar personat zyrtarë dhe diplomatët.

Ndryshe, ai theksoi se për këtë çështje do të bisedohet muajin e ardhshëm, kur Kosovën pritet ta vizitojë ministri kroat i punëve të brendshme. /rtk/