Site icon Telegrafi

Krizë në sektorin e ndërtimit në Gjermani – ndërtuesit po ankohen se s’ka blerës

Po vazhdon kriza në sektorin e ndërtimit të banesave në Gjermani, sipas raportit të publikuar sot nga Instituti për Kërkime Ekonomike IFO në Mynih.

Siç theksohet, përqindja e kompanive gjermane në sektorin e ndërtimit të banesave që ankohen për mungesë porosish është rritur në muajin nëntor nga 49.9 për qind në tetor në 54 për qind, që do të thotë se më shumë se gjysma e firmave janë prekur nga ky problem.

Drejtuesi i hulumtimit të IFO, Klaus Volrabe, vlerëson se kriza në sektorin e ndërtimit të banesave në Gjermani ka marrë përmasa kronike.

“Nëse nuk merren masa të reja stimuluese, mungesa e banesave mund të bëhet një problem i përhershëm”, paralajmëroi ai.

Vlerësimi për situatën aktuale të biznesit është përkeqësuar krahasuar me muajin e kaluar, dhe parashikimet e kompanive gjermane për periudhën e ardhshme mbeten pesimiste.

Në muajin tetor, 11.8 për qind e kompanive gjermane në sektorin e ndërtimit të banesave raportuan anulim të porosive, ndërsa në muajin nëntor ky numër ra lehtë në 10.5 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version