Oda Ekonomike e Kosovës sonte ka mbajtur gala-mbrëmjen, ku ka ndarë shpërblimet për tatimpaguesin, eksportuesin dhe punëdhënësin e vitit 2019.
Në këtë mbrëmje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u tha bizneseve dhe ndërmarrjeve që shteti i Kosovës është krenarë me ta dhe do t’i përkrahë gjithmonë dhe se do ta kenë përkrahjen e vazhdueshme të shtetit dhe institucioneve të vendit.
“Suksesi juaj është suksesi i shtetit të Kosovës, shteti i Kosovës është krenarë me ju dhe do ta keni përkrahjen e vazhdueshme të shtetit dhe institucioneve të vendit”, tha Thaçi.
E, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se krizat e vazhdueshme politike, dështimi për me krijuar një qeverisje stabile, janë të pashëndetshme për biznesin.
Rukiqi theksoi se bizneset e Kosovës prej natyrës janë kërkuese dhe këmbëngulëse, por janë shumë të fuqishme kur janë bashkë. Ai bëri thirrje që të tillë të bashkuar në Ode të jenë edhe në të ardhmen.
“Sot në vendin tonë kemi njerëz pa vende pune, u mungojnë aftësitë dhe edukimi i duhur. Paradoksalisht sot në vendin tonë kemi vende pune, për të cilat nuk ka njerëz të gatshëm për punë. Liderët të cilët i kemi zgjedhur nuk janë të përgjegjshëm, krizat e vazhdueshme politike, dështimi për me krijuar një qeverisje stabile, janë të pashëndetshme për biznesin… Ne jemi të vendosur bashkërisht që biznesin ta mbrojmë edhe nga gjuha akuzuese dhe populiste, që është në vendin tonë nga komponentë të ndryshëm të shoqërisë”, tha ai.
Rukiqi tha se Oda Ekonomike e Kosovës po rritet nga viti në vit dhe sonte të pranishëm janë dyfishi i pjesëmarrësve krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tij, kjo tregon për një performancë të jashtëzakonshme të punës me bizneset.
Në këtë mbrëmje, Oda Ekonomike e Kosovës ka ndarë mirënjohje për Qendrën Inovative të Kosovës e Shoqatën e Gastronomëve. Në mesin e atyre që u zgjodhën tatimpagues për vitin 2019 janë edhe Telekomi i Kosovës, Procredit bank, Devolli corporation, NLB bankë, Raifaisen bank e të tjera.
Ndërsa disa nga ata që u zgjodhën punëdhënës të vitit ishin Stone Castle, Shell Kosova, Kompania Abi, Dukagjini, Spitali Amerikan në Kosovë, Besa Security, Kawa Group, Kujtesa, American hospital Kosova, Bavaria e të tjera.
Pronari i Stone Castel, kompani kjo që mori çmimin “Punëdhënësi i viti”, Avdi Gecaj tregoi për kapacitet e kësaj kompanie dhe punësimin e femrave në të.
“Është kënaqësi që e vlerësojnë Oda Ekonomike. Ne sivjet e kemi pas një projekt të Komisionit Evropian, ku kemi punësuar mbi 50 femra. Kemi rrit prodhimin dhe normalisht kur rritet prodhimi, rritet numri i punëtorëve… Ne funksionojmë me 1/3 e kapacitetit tonë. Kur të arrijmë 100% kapacitetin e funksionalitetit të kompanisë, besoj se do të trefishojmë numrin e të punësuarve”, tha Gecaj
Ai pohoi se ky çmim është motiv për të ecur përpara, duke shtuar se nuk do të ndalen së punuari. Gecaj tregoi se kompania Stone Castel ka 200 punëtorë dhe orar te plotë të punës.
E në mesin e eksportuesve të vitit 2019 u zgjodh Frutex, Fluidi, Fruti, Industria Metalike e Kosovës e të tjera.
Gala-mbrëmja e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës ka karakter humanitar dhe i dedikohet Shtëpisë së pleqve. /KP/Telegrafi/