Telegrafi

Kriza ul eksportet dhe të ardhurat e emigrantëve

Siç njoftoi sot zyra e shtypit e Kryeministrisë, Berisha, ishte i pranishëm në debatin televiziv në CNBC, ku u pyet nga gazetarët për reagimin që ka pasur dhe do të ketë ekonomia shqiptare kundrejt krizës ekonomike botërore.

Për këtë Kryeministri Berisha u shpreh se "ekonomia shqiptare po ecën mjaft mirë, me një rritje ekonomike 9.9 për qind, por që, sigurisht, do të pasqyrojë krizën ekonomike në një rënie ndoshta të eksporteve, importeve dhe të ardhurave nga emigrantët". Më tej ai vazhdoi se "duke qenë se Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme".

I pyetur se në një rast si ky, i krizës ekonomike botërore, a do të ishte proteksionizmi politika e duhur që duhej të ndërmerrej në tregjet financiare, Kryeministri Berisha u shpreh se "nuk mendonte se proteksionizmi do të ishte rruga e duhur për të shkuar drejt zgjidhjes së krizës aktuale dhe evidentoi si përgjegjës për këtë ineficensën e rregullave ekzistuese të tregjeve financiare" Sipas tij, një Martin Luther i ri për financat, pra, një politikë reformatore në fushën e financave, do të ishte përgjigjja e duhur.