Një sistem edhe ashtu i brishtë shëndetësor në Kosovë, nën kërcënimin e largimit të vazhdueshëm të stafit mjekësor, mund të përkeqësojë gjendjen me pandeminë COVID-19.
Kështu mendon Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka folur për problemet që priten derisa bota po hyn në vitin e tretë të pandemisë.
Xhemajli thotë se në kontekst global problem vazhdon të jetë vaksinimi i pabarabartë i popullsisë së vendeve të ndryshme të botës.
Në anën tjetër, sipas Xhemajlit, Kosova pritet të përballet me sfidën për vaksinimin e fëmijëve të vegjël, proces për të cilin, sipas saj, ka hezitim në mesin e popullatës.
Xhemajli bën thirrje që institucionet t’i kushtojnë vëmendje forcimit të sistemit shëndetësor për të parandaluar ngufatjen nga një valë e re eventuale e infeksionit.
Kujtojmë se shpërndarja e variantit Omicron të COVID-19 tani për tani është në qendër të vëmendjes në luftën botërore kundër pandemisë.
Në Kosovë deri në fund të dhjetorit është arritur vaksinimi i rreth 43 për qind të popullsisë, ndërkaq tani ka nisur edhe administrimi i dozave të treta dhe atyre përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.