Telegrafi

Kriza shtyn amerikanët të kursejnë

Nën stresin e humbjes së vendit të punës, shumë njerëz kanë filluar të vënë ca para mënjanë për kohë të vështirë, gjë që ekonomikisht duket pozitive, por që për biznesin amerikan, duket një makth i vërtetë.

Amerikanët njihen si populli që në të shkuarën shpenzonte më shumë nga sa fitonte apo mundej realisht të fitonte, gjë që e bëri biznesin amerikan të varur nga shpenzimet e konsumatorëve. Kultura e kursimit besohet se do të jetë një pasojë e krizës që do të vijojë edhe për shumë kohë pas mbarimit të recesionit.

Kursimet nga të ardhurat neto të amerikanëve gjatë muajve të fundit janë rritur në 4 për qind nga zero që ishin kur filloi recesioni. Në vitet ‘70, ata kursenin deri në 14 për qind të asaj që fitonin, ndërkohë që në vitin 2005, shpenzimet ishin 2.7 për qind më shumë nga të ardhurat.

Por nëse amerikanët fillojnë të kursejnë për një kohë të gjatë, ekonomia do të ketë vështirësi të konsiderueshme që të përshtatet me ndryshimin. Shpenzimet e konsumatorëve përbëjnë 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në këtë vend. Kursimi mund të sjellë reduktime të dhimbshme në prodhimin e disa mallrave dhe shërbimeve. Ndikimet mund të ndihen edhe në vende të tjera të botës, që varen nga konsumi amerikan.