Telegrafi

Kriza politike rrëndon standardin e qytetarëve në Maqedoni (Video)

Shitësit në tregun e “Bit pazarit” ankohen se ka rënie të madhe të shitjes, pavarësisht se çmimet sipas tyre janë të arsyeshme. Ata thonë se kjo gjendje vjen si pasojë e krizës së thellë politike që ka përfshirë vendin. Ndërkohë edhe më alarmante situata paraqitet me protestat e përditshme, për shkak të të cilave bllokohen rrugët dhe kufizohet lëvizja e qytetarëve.

“Ka ra shitja shumë me të vërtetë, ka qenë shumë më mirë ndërkaq tani aspak nuk është mirë. Kriza shumë ndikon tek ne, ka një muaj e gjysmë që kemi rënie të madhe. Tani kjo kriza, dhe protestat shumë ndikojnë tek ne, sepse ndalohet rruga dhe nuk vijnë njerëz këndej aspak. Në përgjithësi për ne është katastrofë, katastrofë”, u shpreh një shitës për Alsat-M.

Blerësit nga ana tjetër gjithashtu shprehin pakënaqësi si për çmimet ashtu dhe për gjendjen aktuale politike e cila ndikon në standardin jetësorë./Telegrafi/