Telegrafi

Kriza politike nxit qytetarët t’i tërheqin depozitat e tyre nga bankat

Kriza politika ka ndikuar që qytetarët e Maqedonisë të fillojnë t’i tërheqin paratë e tyre nga bankat, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Vetëm në muajin prill, qytetarët kanë tërhequr rreth 58.8 milion euro, që është 1.6% e depozitave të përgjithshme të popullatës. Këto informacione vijnë nga guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, nga takimi i rregullt me bankat në Odën Ekonomike të Maqedonisë.

Me këtë rast, Banka ka intervenuar me 177 milion euro në treg. Tërheqja e një shume të këtillë parashë nga qytetarët ka qenë stresuese për bankat dhe një test për to, por që për shkak të likuiditetit të mirë, kapitalit dhe nivelit të lartë të devizave, kanë arritur që të bërballen me krizën, ka shtuar Bogov./Telegrafi/