Site icon Telegrafi

“Kriza politike mund të shfrytëzohet nga terroristët” (Video)

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se autoritetet belge kanë dështuar në parandalimin e sulmeve terroriste në Belgjikë.

“Sulmi i Brukselit ndërlidhet me sulmin paraprak në Paris, ku akteri kyç i sulmit në Paris ka bërë një tërheqje taktike dhe është fshehur në Bruksel. Me ‘dorëzimin’ e kryesit të sulmeve në Paris, me automatizëm shteti belg dhe organet e sigurisë e kanë ulur shkallën e rrezikshmërisë dhe kanë lejuar në një formë që ISIS të hakmerrej. Pra, autoritetet belge kanë dështuar në këtë rast, sepse është pritur që të ketë një sulm të tillë aty”, ka deklaruar Shala në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

Pas kërcënimeve të ISIS në drejtim të vendeve të Ballkanit, organet e sigurisë kanë ngritur masat e sigurisë. Por, sipas Shalës, Maqedonia është e atakuar më së shumti nga këto kërcënime, sepse ka një fluks të madh të refugjatëve nga linja në kufi me Bullgarinë.

“Kosova dhe vendet tjera e kanë të njëjtin problem të kërcënimit. Por, sikur vendi ynë të kishe një stabilitet ekonomik dhe politik nuk do të ishte rrezikshmëria në nivel të lartë”, ka thënë eksperti i sigurisë, duke shtuar se vendi ynë është duke kaluar në një krizë institucionale dhe dikush mund ta shfrytëzoj këtë vakum politik dhe të kryej ndonjë akt terrorist.

Shtimi i uniformave blu në rrugë, institucione e objekte të rëndësisë së veçantë, sipas Shalës, tregon se edhe në jemi vigjilent dhe jemi të gatshëm tu përgjigjemi çfarëdo akti të mundshëm terrorist.

Exit mobile version