Telegrafi

Kriza për qeverinë rrezikon zgjedhjet lokale

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve lokale, megjithatë nga ky institucion nuk dinë të thonë se kur do të mbahen të njëjtat. Në këtë kuadër, anëtari i KSHZ-së Subhi Jakupi bëri të ditur se aktualisht po zhvillohet procesi i azhurnimit të listës zgjedhore ndërsa sqaroi se datën e votimeve e cakton kryetari i Parlamentit që edhe dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende nuk është zgjedhur.

“Ne si KSHZ normal që jemi në një gatishmëri të përditshme për ti organizuar zgjedhjet por ajo varet edhe nga vetë akti juridik që do ta sjellë kryetarit të parlamentit dhe të caktojë datën e saktë në përputhje me kodin zgjedhor. Ne jemi duke bërë azhurnimin listën e zgjedhësve në harmoni me kodin zgjedhor”, deklaroi për Alsat-M, Subhi Jakupi.

Zvarritja e procesit për formimin e Qeverisë së re dhe kriza dy-vjeçare politike po e vendos në hije organizimin e zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen në pranverë. Partia e Nikolla Gruevskit OBRM-PDUKM që prej gushtit të vitit të kaluar formalisht ka filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe janë në fazë të përzgjedhjes së programeve dhe ideve më të mira të kandidatëve potencial për kryetar komunal.

Ndërsa të gjitha partitë të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare morën vende në Kuvend, janë shprehur se janë të gatshme për zgjedhjet lokale.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale duhet të shpallen nga kryetari i Kuvendit të paktën 70 ditë para mbajtjes së tyre. Por, në situatën në të cilën ndodhet Maqedoni prej dy muajsh pa kryetar Kuvendi, partitë kanë dy opsione, të formojnë shumicë formale e cila do të votojë kryeparlamentarin e ri që ky i fundit të mund ti shpall zgjedhjet ose të dakordohen për anulimin e zgjedhjeve, mirëpo për këtë nevojitet ndryshimi i Kodit Zgjedhor./Telegrafi/