Site icon Telegrafi

Kriza në Zimbabve: Prindërit që nuk shkollojnë fëmijët e tyre mund të dënohen deri në dy vjet burg

Prindërit në Zimbabve mund të dënohen deri në dy vjet burg, nëse nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, qeveria e ka bërë arsimin të detyrueshëm deri në moshën 16 vjeçare, në mënyrë që të reduktohet shifra e braktisjes së shkollave që fajësohen për gjendjen e dobët të ekonomisë.

Vlerësohet se në disa pjesë të vendit 20% e fëmijëve nuk shkojnë në shkollë.

Vitin e kaluar të paktën 60% e fëmijëve në shkollat fillore u përjashtuan, nga pamundësia për të paguar tarifat, sipas Komitetit të Vlerësimit të Shtetit në Zimbabve (ZimVac).

Udhëheqësi i parë i Zimbabve, Robert Mugabe, një ish-mësues që vdiq vitin e kaluar, u vlerësua për politikat arsimore që miratoi pas pavarësisë në vitin 1980.

Sistemi shkollor i krijuar nga Mugabe u dha banorëve të Zimbabvesë mundësi të madhe në arsim, pasi u hapën qindra shkolla shtetërore, ndërsa kjo kishte rritur edhe normat e shkrimit dhe leximit në Afrikë.

Sidoqoftë, arsimi falas përfundoi në vitet 90-ta dhe në dekadën vijuese sistemi arsimor filloi të shkatërrohet. /Telegrafi/

Exit mobile version