Telegrafi

Kriza në SHBA, paketë shpëtimi për Citigroup-in

Qeveria do të garnatojë gjithashtu rreth 300 miliardë dollarë hua dhe kredi që konsiderohen me shkallë të lartë rrezikshmërie.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve që u zhvilluan në fundjavë mes qeverisë, Rezervës Federale dhe përfaqësuesve të Citigroup-it.

Këto fonde janë pjesë e paketës 700 miliardë dollarëshe që u miratua nga Kongresi muajin e kaluar.

Ndërkohë, këshilltarë të lartë të presidentit të sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, thonë se paketa që po përgatitet nga administrata e re për të inkurajuar ekonominë, duhet të jetë shumë më e madhe nga ç’u parashikua në fillim.

Gjatë fushatës presidenciale Obama tha se do të nevojiteshin 175 miliardë dollarë.

Komentet e këshilltarëve të Barak Obamës për çështjet ekonomike synojnë të përçojnë mesazhin se administrata e re do të fillojë menjëherë nga puna kur të marrë zyrtarisht pushtetin në janar.

Ata thonë se plani për inkurajimin e ekonomisë mund të jetë në përmasa të njëjta me paketën 700 miliardë dollarëshe për shpëtimin e sektorit financiar.

Ky plan dyvjeçar për inkurajimin e ekonomisë synon të shpëtojë apo të krijojë afro dy milionë e gjysëm vende pune.

Të dielën, senatori i njohur demokrat Charles Schumer, tha se për këtë plan mund të nevojiteshin 500-700 miliardë dollarë.

"Mendoj se për këtë ky plan do të na duhen nga 500 deri në 700 miliardë dollarë, për shkak se ekonomia jonë po kalon probleme shumë, shumë serioze. Mjafton të shohim shifrat e papunësisë, mungesën e besimit te konsumatorët apo gjendjen e bursave. Jemi në prag të një deflacioni, dhe kur futesh në një deflacion është shumë e vështirë të dalësh. Këtë mësim e kemi marrë nga Depresioni i Madh, apo nga kriza e fundit në Japoni. Shumë ekonomistë thonë se që ky plan të ketë sukses, na duhet afro 5% e GDP-së, pra rreth 700 miliardë dollarë", tha senatori i njohur demokrat, Charles Schumer.

Edhe këshilltari kryesor i zotit Obama për çështjet ekonomike, David Axelrod, tha se kjo paketë duhej të ishte aq e madhe saqë të zgjidhte problemin e madh me të cilin përballej Amerika. (BBC)