Telegrafi

Kriza financiare ka prekur edhe Kosovën

Raportet e Paralajmërimit të Hershëm përgatiten per çdo tremujor. Projekti bashkë-financohet nga USAID dhe UNDP. Rezultatet e prezentuara, bazohen në analiza statistikore të hulumtimit të opinionit, të bërë nga UBO Consulting gjatë javës së parë të muajit prill të 2009.

Hulumtimi bazohet në intervista të drejtëpërdrejta ku janë përfshirë 1,250 respondentë. Sipas raportit te UNDP, për shumicën e kosovarëve, çështjet ekonomiko sociale – papunësia, varfëria, mungesa e rrymës dhe korrupcioni, janë problemet më madhore me të cilat ballafaqohet Kosova.

Për shumicën e respondentëve, mbi 90%, institucionet kosovare janë përgjegjëse për situatën ekonomike. UNMIK-u nuk shihet më si më përgjegjësi për situatën politike. Afër 70% të respondentëve këtë përgjegjësi ia atribuojnë qeverisë së Kosovës dhe partive politike.

" Kënaqësia e njerëzve me institucionet qeverisëse ka rënë paksa. Anketa tregon se rreth 38% të respondentëve janë të kënaqur me punëne qeverisë së Kosovës, rënie kjo prej diku rreth 19% nga tetori i viti 2008. Besimi i qytetarëve kundruall sistemit gjyqesor mbetet shumë i ulët, me vetëm 20% që janë të kënaqur me punën e tyre", thuhet ne raport. 

Ndersa kënaqësia me punën e UNMIK-ut ka vazhduar të bie. Shumica dërrmuese e shqiptarëve (85%) dhe 52% të serbëve nuk pajtohen me prezencën e mëtutjeshme të UNMIK-ut në Kosovë. Megjithatë, kënaqësia me punën e EULEX-it ka shënuar rritje dhe tani është në 30%.

Tutje, ka një rritje të respondentëve që nuk ndihen të sigurtë në rrugë (43%) në krahasim me 20 % në tetor 2008.

" Në anën tjetër, numri i serbëve që janë të gatshëm të punojnë me shqiptarët është ngritur nga 21% vitin e kaluar në 48%. Është brengosëse se numri i shqiptarëve të vullnetshëm për bashkëpunim ka rënë në 30 % në krahasim me afërsisht 60% që ishin në favor të bashkëpunimit në korrik të vitit 2006. /Telegrafi/