Site icon Telegrafi

​Kriza energjetike, Haradinaj: Kurti po rrezikon shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka kritikuar se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka neglizhuar zgjidhjen e krizës energjetike.

Në seancës plenare për debatin parlamentar në lidhje me krizën energjetike në Kosovë, të iniciuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së, Haradinaj theksoi se për mbi 9 muaj qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje nuk mori masa me kohë për të mos përfunduar në reduktime të ashpra të energjisë elektrike, që po rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve.

“Sektori i energjisë ndër vite është viktimë e jo-stabilitetit politik. Ndërrimi i shpeshtë i politikave të institucioneve ndërkombëtare relevante edhe në pamundësi të një ambienti të favorshëm në realizimin e projekteve kapitale në funksion dhe të adresimit të sigurisë së furnizimit. Këta janë disa nga faktorët kryesor që e kanë sjell vendin në këtë gjendje. Njëkohësisht sot secili mund ta drejtojë gishtin kah secili dhe modeli i amnestimit për mosveprim është bërë model i qeverisjes ndër vite, duke e fajësuar tjetrin. Kulmin e ka arritur me qeverinë aktuale, e cila duke qenë 10 vjet në opozitë dhe pjesë e institucioneve i ka ditur problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë sektor. Por u dashtë mbi 9 muaj për të kuptuar sa emergjente është situata dhe se kërkoheshin ndërmarrja e masave emergjente për të mos përfunduar në reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke rrezikuar shëndetin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve”, theksoi ai.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria e ka për detyrë që për çdo ditë të japë sqarime për mungesë të rrymës.

“Dëgjova shumë diskutime më herët, e pash që shumica kanë ardhur këtu me hequr faj nga vetja. Pra, u mundojshin me heq faj nga vetja, ndërsa më mirë është që kohën ta shfrytëzojmë me diskutu e t’iu tregojmë qytetarëve të vendit se si do të jetë situata me reduktimet, sa orë do t’i kenë rrymë në ditë, dhe sa herë në ditë. Pra, mos harroni është një ndërprerje disa orëshe, por nuk është e vetmja brenda 24 orëve… Çdo ditë duhet me dalë me u dhënë një shpjegim qytetarëve, mos me i lënë vetëm me njoftimet ku ka reduktime. Kjo situatë është e ngjashme me kohën pandemisë kur kishim deri 40 të vdekur në ditë, edhe s’kishim një zyrtar qeveritar që del me shpjegu çka ka ndodhur sot”, tha Haradinaj.kp/Telegrafi/

Exit mobile version