Linja ajrore shtetërore e Bjellorusisë, “Belavia” dhe “Turkish Airlines” njoftoi të premten se do të ndalojë pranimin e pasagjerëve nga Iraku, Siria dhe Jemeni.
Bashkimi Evropian pretendon se Bjellorusia po inkurajon mijëra emigrantë që të përpiqen të kalojnë kufirin me Poloninë dhe kërcënon me sanksione të reja ndaj Minskut dhe linjave ajrore që transportojnë emigrantë.
Bjellorusia ka bërë të ditur se në marrëveshje me Ankaranë, nuk do t’ia lejojë hyrjen përkohësisht udhëtarëve të ardhur nga Lindja e Mesme – Jemeni, Siria dhe Iraku, raporton cnn.
“Sipas vendimit të autoriteteve turke, qytetarët e Irakut, Sirisë dhe Jemenit nuk do të pranohen në fluturimet nga Turqia në Bjellorusi nga 12 nëntori 2021”, njoftoi Belavia.
Linja ajrore u ndalua të fluturonte mbi hapësirën ajrore të Bashkimit Evropian pasi autoritetet në Minsk në fillim të këtij viti urdhëruan një aeroplan të Ryanair që fluturonte nga Greqia në Lituani të detyrohej të ulej në Bjellorusi, në mënyrë që të arrestonin disidentin bjellorus, Roman Protashevich.
Belavia vazhdon të fluturojë drejt destinacioneve si Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Armenia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Uzbekistani dhe Kazakistani. /Telegrafi/