Telegrafi

Kriza ekonomike përgjysmon numrin e milionerëve britanikë

Në vend kanë mbetur 242 mijë milionerë, në krahasim me 489 mijë në vitin 2007. Zhdukja nga lista e më të pasurve në pothuajse 70 për qind të rasteve, është e lidhur me rënien e madhe të primeve në njërën nga qendrat më të mëdha botërore, London City.

Ekspertët e QHEA-së në vitin 2006, kur në horizontin ekonomik botëror ende nuk ndjehej kriza, parashihnin se në vitin 2010 Britania e Madhe do të ketë 720 mijë milionerë, ndërsa deri në vitin 2016 madje një milion njerëz me pasuri milionere. Këto parashikime optimiste bazoheshin në rritjen e vlerës së patundshmërive dhe të ardhurave nga aksionet e kompanive të cilat kotonin në Bursën e Londrës.

Rënia e pasurisë në Britani të Madhe u reflektua edhe në listën e personave me më shumë patundshmëri, të cilën e kumtoi javën e kaluar "Sunday Times".

Njëmijë banorë më të pasur të Britanisë së Madhe, vitin e kaluar, për shkak të krizës ekonomike globale, humbën 155 miliardë funta (235 miliardë dollarë). Ata tani disponojnë me 258 miliardë funta, në krahasim me 413 miliardë para një viti.
Numri i miliarderëve në Britani të Madhe, gjatë 12 muajve të fundit është pakësuar nga 75 në 43.

Edhe më tej, banori më i pasur i Britanisë së Madhe është pronari i imperatorisë në sektorin e prodhimtarisë së çelikut, Mittal Steel, miliarderi me prejardhje indiane, Lakshmi Mittal, i cili, siç vlerëson "Sundey Times", për shkak të krizës ka humbur 10,8 miliardë funta, me çka pasuria e tij është pakësuar për 61 për qind.