Telegrafi

Kriza e ka goditur edhe Kosovën

Kryetari i konferencës, Isak Mustafa, tha se problemet në ekonominë e Kosovës kanë qenë vazhdimisht por, nga kriza ekonomike globale, Kosova është goditur edhe më shumë tek investimet direkt dhe remitancat.

“Produkti i brendshëm bruto shënoi rënie, rritja ekonomike ka rënë në 4.4 për qind më 2009, nga 5.8 për qind të vitit 2008. Shpenzimet publike shënuan rritje për 39 për qind nga viti 2008 deri më 2009 dhe përfaqësonin rreth 14 për qind të GDP-së më 2009. Deficiti ishte 37 për qind të GDP-së më 2009 dhe eksportet përfaqësonin vetëm 10 për qind të importeve dhe vetëm 6 për qind të GDP-së më 2009”, theksoi Mustafa.

Papunësia në Kosovë arrin shifrën e 40 për qind, ku sipas Mustafës rreth 30 mijë të rinj hyjnë në tregun e punës çdo vit, me mundësi të vogla për punësim.

Mustafa tha se tejkalimi i krizës në ekonominë e Kosovës duhet të fokusohet në shfrytëzimin racional të resurseve natyrore, si në energjetikë dhe në industrinë minerale.

“Të shfrytëzohen mjetet e remitencave në hapjen e vendeve të reja të punës, reforma e politikës fiskale, doganore, bankare, financiare, të subvencionohen prodhuesit bujqësor. Të hartohet një strategji për uljen e varfërisë ekstreme”, rekomandon Isak Mustafa. /Telegrafi/