Site icon Telegrafi

Kriza e ardhshme në Europë do t’i testojë limitet e BQE-së

Europa nuk është ende gati për një tjetër përmbysje ekonomike dhe kriza e ardhshme mund të testojë limitet e Bankës Qendrore Europiane, duke ulur me shumë mundësi më tej normat e interesit.

Sipas anëtarit të bordit Benoit Coeure, duke marrë parasysh se shumë dështime institucionale që shkaktuan krizën e fundit mbeten ende të pazgjidhura, tërheqja sa do e vogël e ekonomisë mund të krijojë kosto të mëdha ekonomike dhe sociale.

Duke luftuar krizën e borxhit të Europës me shpenzime gjigante prej rreth 2 trilionë euro, zyrtarët e Bankës Qendrore Europiane shqetësohen se qeveritë nuk e kanë përdorur në mënyrë efektive kohën e tyre, duke dështuar që të përmirësojnë kapacitetin absorbues të bllokut dhe duke e lënë të cënueshëm ndaj goditjeve të ardhshme.

“Kriza e ardhshme mund të detyrojë BQE që të testojë limitet e mandatit të vet”, tha Coeure.

Sipas tij, në varësi të formës që do të ketë kriza e ardhshme, përgjigja politike mund të kërkojë uljen e mëtejshme të normave afat-shkurtër të interesit, apo blerjen e aktiveve që janë më të rrezikshme se borxhi korporativ apo publik.

Edhe pse BQE ka reduktuar stimujt monetarë që prej krizës, norma e interesit për depozitat qëndron ende në një nivel rekord të ulët prej -0.4% dhe institucioni mban ende rreth 2 trilionë borxh korporativ dhe sovran, me qëllim mbajtjen e kostove të huamarrjes në nivele të ulëta.

Coeure tha se tregjet fleksibël, përfshirë një treg financiar të integruar, mund të jetë mbrojtja bazë për të absorbuar goditjet në mënyrë efektive.

Sipas tij, një union i finalizuar i bankingut dhe tregjeve të kapitalit, do të diversifikonte dhe reduktonte rreziqet duke limituar barrën financiare për qeveritë dhe taksapaguesit. /Telegrafi/

Exit mobile version