Site icon Telegrafi

Kriza dyfishon të pasurit

Numri i miliarderëve në botë është dyfishuar që nga fillimi i krizës financiare globale, deklaroi organizata bamirëse, Oxfam.
Pavarësisht krizës financiare globale, që filloi në vitin 2008, në fakt numri i super të pasurve është rritur në 1,645 persona, deklaroi Oxfam në hapje të fushatës “Even It Up”, që ka për qëllim të balancojë pabarazitë në rritje në botë. Sipas organizatës, 7 në 10 persona jetojnë në vende ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është më i madh krahasuar me 30 vite më parë.

Në raport thuhet se në çdo vend, në katër anët e botës, një pakicë e pasur po bëhet akoma edhe më e pasur, duke rritur nivelin e të ardhurave personale në vendin ku ata jetojnë. “Sidomos gjatë 30 viteve të fundit, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është thelluar ndjeshëm, por ajo që është më interesante është fakti se Credit Suisse ka nxjerrë në pah disa të dhëna që tregojnë se çfarë ka ndodhur që nga kriza financiare globale, transmeton Tv Scan .
Përpara krizës është vënë re një tendencë në rënie, por me fillimin e krizës numri i miliarderëve është dyfishuar. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Emma Seery, një prej autoreve të raportit. Në fillim të vitit 2014, Oxfam llogariti se 85 njerëzit më të pasur të botës, kanë një pasuri të barabartë me gjysmën e varfër të të gjithë globit.

Nga marsi i 2013 deri në mars të 2014, këta 85 persona e shtuan pasurinë e tyre me 668 milionë dollarë në ditë. Nëse Bill Gates do të kthente të gjithë pasurinë e tij në “cash” dhe të shpenzonte 1 milion dollarë në ditë, do ti duheshin 218 vite që ti shpenzonte të gjitha. Njeriu më i pasur në botë është Carlos Slim, i cili mundi Bill Gates për vitin 2014. Sot, në Afrikën Sub-Sahariane numërohen 16 miliarderë, kundrejt 358 milionë persona që jetojnë në varfëri ekstreme. /Telegrafi/

Exit mobile version