Telegrafi

Kriza, Bizneset e rajonit mblidhen në Tiranë

Shkak për mospjesëmarrje në këtë takim është se Kosova ende nuk është anëtare në këtë asociacion.

Safet Gërgjaliu zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës tha se së shpejti edhe vendi ynë do të bëhet anëtar i këtij asociacioni.

“Nuk jemi pjesëmarrës në këtë takim sepse nuk jemi të anëtarësuar. Tashmë kemi paraqitur kandidaturën dhe besoj që kjo çështje do të përfundojë shumë shpejt”, tha për “Telegraf”, Gërgjaliu.

Ndryshe, asambleja e Përgjithshme e Dhomave të Tregtisë të Ballkanit, kryesinë e së cilës e mban Shqipëria, do të mblidhet më 12 Mars në Tiranë, ku çështjet kryesore që do të diskutohen, do të jenë ato mbi efektet e krizës financiare ndërkombëtare mbi ekonomitë e shteteve të Rajonit dhe masat që duhen marrë për të zbutur ndikimin e saj në sektorë të veçantë të industrisë, tregtisë, sistemit bankar, të shërbimeve dhe të ndërtimit.

Sipas presidentit të Asamblesë të Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë të Ballkanit dhe i Unionit të Dhomave të Shqipërisë, Ilir Zhilla, ky takim do të shërbejë për forcimin e lidhjeve mes Dhomave të Tregtisë të Rajonit dhe bashkëveprimin për të kontribuar me masa konkrete për të ulur efektet e krizës financiare globale në vendet e Rajonit.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve të larta zyrtare të ekonomisë dhe financave shqiptare, si dhe kryetarë dhe përfaqësues të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, nga Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Krahas trajtimit të çështjes së krizës, në këtë Asamble do të diskutohet edhe mbi rritjen e shkëmbimeve tregtare mes shteteve të rajonit, shkëmbimin e eksperiencave mbi novacionet në teknologji dhe lehtësimin e barrierave doganore. /Telegrafi/Gazeta Agon/