Telegrafi

Kriza, 4.8 miliardë euro për Ballkanin

Përfundimi doli se nevojiten rreth 4.8 miliardë euro, të cilat do të përdoren si fillim në sektorin e transportit. Të ndarë në tre panele (mjedisi, arsimi dhe transporti), donatorët, të kryesuar nga Komisioni Evropian, identifikuan nevojën që ka Ballkani për financim të shpejtë në projektet rrugore.

Duke u ndalur te Shqipëria, Erich Unterwurzacher, komisioneri i politikave rajonale pranë KE-së, tha se ka probleme me identifikimin e projekteve në infrastrukturë. "Shqipëria nuk ka probleme të gjejë donatorë, por me paraqitjen e prioriteteve, të cilat mungojnë.

Nga sa pashë, qeveria e Tiranës mendon vetëm për sistemin e transportit rrugor, në një kohë që rëndësi të veçantë duhet t‘u kushtosh edhe hekurudhave ose kanaleve ujore", tha komisioneri, i cili drejtori panelin mbi projektet e huaja për transportin, ku merrte pjesë dhe zv.ministri i Punëve Publike, Stavri Ristani. "Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të mendojnë për të gjetur linja kalimi transporti përtej kufijve.

Nuk duhet planifikuar gjithsekush për vete, por në mënyrë që investimi i hedhur në projekt transporti t‘u shërbejë të gjithëve", vijoi më tej drejtuesi i konferencës, Timo Summa. Palët ishin të të njëjtit qëndrim, se Ballkani do të ketë frenim të rritjes ekonomike dhe masat për parandalimin e efekteve negative duhet të ishin të menjëhershme.

Shqipërisë i duhet të konkurrojë fort për të përfituar mbështetje financiare nga fondi 4.8 miliardë euro. Procesi i shpërndarjes së këtij fondi do të nisë në tetor 2009, kur vendet e rajonit dhe donatorët e kanë të qartë se cili është prioriteti i duhur. "Kjo shumë, që parashikon të shkojë për transportin, do t‘u japë mundësi firmave private të rrisin vëllimin e punës dhe uljen e të papunëve", tha Erich Unterwurzacher.