Fadil Lepaja është personaliteti publik që trajton fenomenet politike e sociale të shoqërisë sonë, pandikueshëm nga ambienti ku ai jeton. Lepaja nuk është vetëm opinionist; nuk është as dhe vetëm kritik. Këtë intelektual mund ta quaj edhe krijuesin origjinal të vlerave shpirtërore të hapësirës sonë të trazuar shqiptare.
Për Lepajën shkrimi nuk është diçka e thjeshtë. Për të të shkruarit është art, është ushqimi që i nevojitet këtij populli. Gjuha e mbushur plot me metafora, ironi dhe sarkazma është mjeti i tij i preferuar për ta ndikuar e për “ta ndryshuar” botën tonë “të sëmurë” publike. Komunikimi i tij i palodhshëm me publikun ka “një” qëllim madhor: “ndreqjen” e politikës shqiptare; rindreqjen e politikës sonë johumane e primitive që i “hëngrën shpirtin” edhe vet autorit.
Në kritikën e tij autori klith përmes qeshjes. Ai qanë duke qeshur. Por, Lepaja në shkrimet e tij vajton duke buzëqeshur, e ky është një art i ri në marrëdhëniet tona të intelektualit me publikun, me atë që ky e do fort dhe mishërohet me të.
Fadil Lepaja është i vetëdijshëm se e vetmja “armë” e tij është fjala, është gjuha. Marrëdhënia e tij e pastër me publikun vërtetohet përmes gjuhës respektuese e vlerësuese që ky e ka për lexuesin e tij. Por, “çuditërisht”, gjuha e tij është “dërmuese” për puthadorët, për të fortit, për lakmitarët dhe për politikat shkurtpamëse e vetëvrasëse.
Kritika e tij ka një shije të re, është një art i ri i të komunikuarit me publikun. E them këtë sepse Lepaja është i pamëshirshëm në shigjetimin e politikave të këqija shqiptare që, siç duket, kanë trazuar jo pak edhe ëndrrën e kritikut.
Në fushën e gazetarisë Lepaja bëri shumë, bëri atë që ne e kishim pak, bile gati aspak: afrimin e tij të sinqertë e prindëror me popullin. Lepaja u shmang nga tradita e gazetarucëve të UNMIK-ut dhe të ambasadave. Ky u largua nga “mainstreami” i ideve që zotëronin e po zotërojnë në hapësirën tonë publike: e tha, e shkruajti dhe e shigjetoi atë që e mendoi vet e nuk e tha e nuk e prodhoi atë që e menduan të tjerët…
Lepaja me shkrimet e tij – e sot me përmbledhjet e tij – tenton të na tregojë se në ç’drejtim “duhet ecur”, prandaj edhe ka vlerësimin tim si intelektuali që “hapëron” me këmbë të tija që i fali nëna, e nuk “ecën me paterica” që i jep lakmia dhe regjimi.