Vladimir Kara-Murza, një avokat i shquar rus i të drejtave të njeriut dhe kritik i Kremlinit, ka fituar çmimin Pulitzer për komentet e shkruara nga qelia e tij e burgut.
Kara-Murza po vuan një dënim me 25 vjet burg për kritikën publike të luftës së Moskës në Ukrainë. Burgosja dhe verdikti ishte dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si i motivuar politikisht, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit të Pulitzer të së hënës, Kara-Murza iu dha çmimi për “kolonat e tij pasionante” si kontribues në The Washington Post nga burgu në Rusi “nën rrezik të madh personal”.
Shkrimi i tij “paralajmëron për pasojat e mospajtimit në Rusinë e Vladimir Putinit dhe këmbëngul për një të ardhme demokratike për vendin e tij”, thuhet në të.
Gruaja e shkrimtarit, Evgenia Kara-Murza, i tha Washington Post të hënën se ajo është “me të vërtetë zemërthyer” që burri i saj nuk mund të ishte i pranishëm për të pranuar vetë këtë çmim.
Ajo falënderoi Washington Postin “që u sigurua që zëri i Vladimirit të dëgjohet”.
Kara-Murza u arrestua fillimisht në prill 2022, disa orë pas një interviste me CNN në të cilën ai kritikoi “regjimin e vrasësve” të presidentit rus.
Kritiku i Kremlinit u fut në sallën e gjyqit për vepra penale që përfshinin tradhtinë, përhapjen e lajmeve të rreme për ushtrinë ruse dhe lehtësimin e aktiviteteve të një organizate të padëshiruar.
Rusia e kriminalizoi kritikën ndaj ushtrisë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Gjykata tha se ai do të vuante dënimin e tij “në një burg të sigurisë së lartë”.
Kara-Murza ka qenë prej kohësh kritik ndaj Putinit dhe i ka mbijetuar dy helmimeve. /Telegrafi/