Një ditë pasi Valbona Reka publikisht u ankua për ndërtimin e ndërtesave dhe banesave në Komunën e Çairit ku uzurpohen parqet dhe vendet për parkim, policia sot i ka bërë një vizitë në shtëpinë e saj, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Përmes profilit të saj në Facebook, Reka u ka dërguar një porosi zyrtarëve, në të cilën thuhet:
“Në shtëpinë time policia ka ardhur shpesh. Ka ardhur ti kërkoj prindërit, dajallarët, vëllain, ka ardhur të pyet se ku janë e çka bëjnë, shpesh kanë ardhur policët e Josip Brozit dhe Sllobodan Millosheviqit. E kisha pas harruar ndjenjën e policit te dera. Po ja se erdhën përsëri, ndjenjë e keqe, jo e mirë, mirëpo e kam një mesazh për ata ose atë që i ka dërguar: Jam krenuar atëherë dhe krenohem edhe tani për arsyet e ardhjes së policisë në derën time. Edhe atëherë edhe sot policët vijnë te dera ime sepse nuk e duroj padrejtësinë, jo vetëm se nuk e duroj, por edhe e them publikisht. E kam edhe një porosi për dërguesit e policisë: Ashtu si kanë shkuar në bërllokun e historisë së Josip Brozi dhe Slobodan Millosheviqi ashtu do të shkoni edhe ju dërguesit e sotëm të policisë në dyert e qytetarëve të cilët nuk e durojnë padrejtësinë dhe nuk i durojnë poshtërsitë e juaja. Aq e kam. Tash i keni policët por, nesër nuk do t’i keni e atëherë do të flasim përsëri”, ka shkruar e revoltuar në Facebook, Valbona Reka.
Përndryshe, aktivistja qytetare Valbona Reka, dje përmes mediave denoncoi keqpërdorimet që bëhen nga ana e Komunës së Çairit, me uzurpimin e parqeve dhe vendeve për parkim në këtë lagje./Telegrafi/