Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e miratoi raportin financiar të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën korrik-shtator 2021.
Gjatë arsyetimit të këtij raporti, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati ka thënë se kanë ulur shpenzimet për 100 mijë euro, për këtë periudhë, ndërkaq deputetët e pozitës patën një varg kritikash për këtë raport.
“Edhe në këtë tremujor, RTK i është përmbajtur projeksioneve buxhetore, duke respektuar vijat buxhetore dhe duke kursyer në disa vija për të paguar borxhet nga marrëveshjet që RTK ka me disa kompani. Në këtë tremujor, janë më shumë se 100 mijë euro plus të pashpenzuara”, theksoi Kastrati.
Deputeti nga LVV-së, Visar Korenica tha se një punëtor në RTK ka regjistruar një kompani me emrin “Pastimi”, në vend të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”, me ndryshimin e vetëm te emrat e kompanive shkronja “r”. Sipas Korenicës, RTK ka derdhur para te kjo kompani dhe dëmi është rreth 470 mijë euro.
“Kontrata për një ‘r’ që nuk e keni bërë, afër gjysmë milioni euro është dëmtuar RTK. A është dënuar dikush prej punëtorëve që e kanë nënshkruar transferin? Kështu që është e pamundur kur të ketë kontrolle të brendshme financiare. Dikush ka bërë një regjistrim brenda për brenda RTK-së, i cili juve iu ka ikur prej dore, dhe është paguar një kompani fantome, në kuptimin e keqpërdorimit të mjeteve”, tha Korenica.
Edhe deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti u shpreh i habitur për këto pagesa për pesë vjet pa ndërpresë ndaj një kompanie fantome.
“Për pagesat e ‘Pastrimit’, 470 mijë euro, për sa kohë ka vazhduar kjo? 4-5 vjet keni vazhduar të bëni pagesa të tilla dhe nuk e keni dedektuar që pagesat nuk po shkojnë në vendin e duhur. Për këto vjet ‘Pastrimi’ ka vazhduar t’ju dërgojë fatura, edhe ju keni konstatuar që keni paguar ‘Pastrimin’, por ndërkohë keni paguar dikë tjetër. Kjo mund të shkojë 3 muaj, një vit më së shumti”, tha Hoti.
Drejtori i transmetuesit publik, Kastrati ka pranuar këtë, duke thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një zyrtar financiar i RTK-së, i cili tashmë është dënuar për këtë veprim.
“Është dëmtuar buxheti i RTK-së, është dënuar, shefi i financave në atë kohë”, theksoi Kastrati.
Po ashtu, deputeti nga LVV, Eman Rrahmani ka thënë se ka një rritje të numrit të të punësuarve me kontratë mbi vepër vit pas viti në RTK.
“Numri vit pas viti që është rritur, është rritur edhe në vitin 2021. Në vitin 2019 keni pasur 168 (punëtorë me kontratë mbi vepër) në total, në vitin 2020 195, kurse në vitin 2021 i keni 233 punonjës. Megjithatë, këtu sa herë që keni ardhur keni deklaruar që nuk do të ketë rritje të numrit edhe për shkak të vështirësive financiare. Një arsyetim nga ju lidhur me këtë”, tha Rrahmani.
Këto punësime, i ka arsyetuar drejtori Kastrati, duke thënë se ndodh këta punëtorë janë të angazhuar në seriale që transmetohen në Radio Televizionin e Kosovës.
“Në serialin ‘Çka ka shpia?’ angazhohen 23 veta, në serialin tjetër ‘Bufe parlamenti’, angazhohen edhe aty 23 vetë. Këto janë kontrata gjashtëmujore”, tha Kastrati.
Për shfrytëzimin e veturave zyrtare në transmetuesin publik, deputeti Visar Korenica ka kritikuar menaxhmentin për mos evidentimin e vlerës së saktë të shpenzimeve. Derisa në raport është thënë se kjo është e pamundur të evidentohen. /KP/