Vendimi i Gjykatës së Apelit për lirimin e ish-gjeneralit serb, Millovan Bojoviq, nuk është mirëpritur nga ata që e kanë njohur si njeriun që kishte përgjegjësi komanduese dhe kishte udhëhequr forcat ushtarake serbe në zonën e Llapit gjatë viteve 1998-1999, raporton KTV.
Dosjet dhe mbi 2500 dëshmi të mbledhura gjatë tërë këtyre viteve për krimet që u bënë në zonën e Llapit, për kreun e Shoqatës së të Zhdukurve dhe Viktimave në Podujevë Latif Mehmeti, janë prova të mjaftueshme që gjenerali të ndalohej me dyshimet për krime lufte.
Bashkëfshatarët e mbajnë mend atë si gjeneral i ushtrisë serbe gjatë viteve 1998/99, në shtëpinë e të cilit gjendej shtabi dhe paramilitarët serbë. E atyre të cilëve iu vranë familjarët gjatë kohës sa Bojoviq, dyshohet se kishte përgjegjësi komanduese nuk pranojnë as të flasin për të.
Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë në rastin e Bojoviqit për kryetarin e KMDLNJ-së, Behxhet Shala, tregon edhe njëherë mungesën e vullnetit politik që të hetohen personat të cilët kishin përgjegjësi komanduese gjatë luftës.
Të mërkurën, Gjykata e Apelit mori vendim që ta dëbojë Bojoviqin deri në pikën kufitare më të afërt dhe t’ia dorëzojë policisë kufitare të Serbisë, pas ankesës së mbrojtjes së tij dhe vlerësimit të ekspertizës.
Bojoviq ishte dërguar në paraburgim me vendim të Gjykatës Themelore të Podujevës për veprën penale: kalim i paautorizuar i vijës kufitare.