Brukseli nuk dëshiron që të bisedojë për zbardhjen e fatit e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë. Ndërsa për këtë qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë fajtoret kryesore pasi nuk kanë inicuar një gjë të tillë.
Kështu u tha gjatë debatit publik ,,Temat (jo) aktuale të dialogut të Brukselit – temat e rëndësishme për të cilat nuk është biseduar në Bruksel dhe pse?’’, ku u apelua që fati i personave të pagjetur të vendoset në tavolinë.
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë, Bajram Çerkini, tha se më e rëndësishmja është që të zgjidhet fati i të pagjeturve. Ai kritikoi politikën por edhe Brukselin, që nuk kanë bërë atë që familjarët kanë kërkuar.
Sipas tij, në këtë drejtim nuk po punohet pasi siç tha ai, politika ka kapur disa punë tjera e jo këtë çështje kaq të rëndësishme.
“As Brukselit nuk po i konvenon që të ketë qetësi në këto treva. Do të thotë politika pengon, por edhe Brukseli nuk e ka qëllimin e mirë sepse nuk është mbajt takimi. Neve na kanë premtuar kjo do të bëhet vitin e kaluar por nuk u bë”, tha ai.
Edhe koodinatori i Shoqatës së Familjeve Serbe të Kidnapuara dhe të Zhdukura, Milorad Trifunović, u shpreh se një nga premtimet e para që janë dhënë në Bruksel ka qenë zbardhja e fatit të të pagjeturve. Ai tha se të gjithë kriminelët duhet të dënohen, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të kryejnë punën e tyre.
“Po të donin ata, ne do të kishim shumë më pak probleme dhe numër dyfish më të vogël të personave të zhdukur. Por, ata keqpërdorin kërkesat tona, dhe punojnë vetëm për të marrë vota. Ata duhet të tregojnë pse nuk e kanë realizuar asnjë premtim të dhënë, përveç UNMIK-ut dhe Kombeve të Bashkuara që kanë sjellë një radar por që nuk ka sjellë rezultate. Teknika është e lehtë dhe lehtë mund të gjenden masakrat, por problemi është se çka duhet të bëhet. 60 përqind e serbëve janë zhdukur pas ardhjes së KFOR-it në Kosovë. Pse nuk e kanë ruajtur popullatën ata”, tha ai.
Sipas tij, asnjëherë nuk kanë dëgjuar se në Bruksel po flitet për personat e zhdukur. Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu tha se çështja e të pagjeturve ka qenë një frymë kurciale për Brukselin, porse kjo nuk ka ndodhur.
Sipas tij, ‘rehatimi i shpirtrave’ të familjarëve të të pagjeturve të merret më seriozisht nga institucionet dhe që të ketë bashkëpunim të ndërsjelltë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Kryetarja e Shoqatës së grave biznesmene ,,Avenyja’’ nga Laplasella, Gordana Đorić, tha se personat e zhdukur dhe të kidnapuar janë pika më e dobët për familjet dhe për shoqërinë./kp/Telegrafi/