Këngëtari Eugent Bushpepa ka pasur një përfaqësim dinjitoz në natën e mbrëmshme, në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision 2018”.
Ai interpretoi në gjuhën shqipe këngën “Mall” duke bërë një interpretim korrekt notash, me çka edhe performanca e tij u vlerësua lartë nga kritikët e muzikës.
“Emocione kisha shumë, por zemra të bëhet mal dhe ndjehesh si në shtëpi, kur sheh valvitjen e shumë flamujve shqiptarë në sallë, të cilët i falënderoj shumë për mbështetjen”, tha këngëtari Bushpepa pak pas mbarimit të performancës në një prononcim për Telegrafin.
Fundi i mbrëmjes solli një rezultat fantastik, ku në mesin e 10 shteteve të kualifikuara për në finale, gjendej edhe flamuri i Shqipërisë.
Performanca e Eugentit kishte siguruar votat e duhura nga publiku dhe juria për tu kualifikuar në finale pas tri vitesh mungesë të Shqipërisë në finalen e këtij kompeticioni.
Një interpretim fantastik e kanë quajtur edhe profesionistët e muzikës, të cilët e shohin Eugentin si një favorit në finalen e këtij viti në “Eurovision.
Kompozitori i njohur kosovar, Florent Boshnjaku, tha në një prononcim për Telegrafin se ishe i bindur në aftësitë e Eugentit, dhe se ashtu siç u pa në fund, ai nuk i zhgënjeu shqiptarët.
“Unë Eugentin e kam vlerësuar gjithmonë si artisti, dhe mendoj se ka qenë zgjedhja duhur për të na përfaqësuar në Eurovision. Performanca e tij mbrëmë ishte e jashtëzakonshme dhe shumë korrekte. Mund të them se ka shkëlqyer në çdo aspekt. Unë madje edhe dje pasi përfundoi performanca, telefonova drejtorin udhëheqës që RTSH-së që ndodhej në sallë, dhe e urova për finalen, sepse nuk kisha fare dyshime që do të kualifikohej, ndonëse rezultatet ende nuk ishin publikuar”, tha Florent Boshnjaku për Telegrafin.
Tutje, kompozitori Boshnjaku foli për prtishmëritë e tij për Shqipërinë këtë vit, duke mos cekur në detaje se ku e parashikon renditjen, por duke shpresuar në një rezultat sa më të mirë, pse jo edhe në fitore.
“Nuk e di sa i përket vlerësimit se ku do të mund të renditet Shqipëria këtë vit. Kjo mbetet për tu parë, dhe sigurisht që gjithçka varet nga konkurrenca në raport me garuesit e tjerë. Personalisht nuk i kam dëgjuar të gjitha këngët, dhe veçanërisht të atyre shteteve që shkojnë direkt në finale, mirëpo prapë po e them, mendoj se gjithçka do të varet nga konkurrenca. Pritshmëritë janë të mëdha. Unë dëshiroj që Eugenti ta fitojë “Eurovisionin” këtë vit, pasi e kemi potencialin për fitore”, ka përfunduar FLorent Boshnjaku.
Edhe kompozitori i njohur, Shpëtim Saraçi, i cili natën e mbrëmshme gjysmëfinale e ka ndjekur nga Amerika, ka vlerësuar lartë performancën dhe potencialin vokal të këngëtarit Bushpepa.
Ai për Telegrafin ka treguar se performanca e mbrëmshme e Shqipërisë e ka emocionuar vërtet shumë, duke e quajtur atë një interpretim profesional, sa e pati vështirë ta dallojë nga të dëgjuarit ‘playback’.
“Ndoqa me kërshëri performancën e Eugent Bushpepës, jo vetëm se përfaqëson Shqipërinë, por se është një nga vokalet shqiptare ndër më të preferuarit për mua. Kur kam bërë detyrën e drejtorit artistik të festivalit disa here me shumë dëshirë e kam ftuar të merrte pjesë në atë festival, duke besuar në talentin dhe në suksesin e tij gjithashtu. Interpretimi i Gentit sipas mendimit tim ishte sa emocional, aq edhe profesional. Shpesh gjatë interpretimit të krijohej përshtypja sikur po këndon me ‘playback’ nga saktësia”, tha Shpëtim Saraçi për Telegrafin.
I pyetur për pritshmëritë, Saraçi thotë se e ka vështirë ta parashikojë rezultatin, por shpreson që të gjithë shqiptarët të kenë fat në finalen e 12 majit.
“Për parashikimet nuk e ndjej vetën të zotin të flas. Shpresoj të kemi fat. Uroj me gjithë zemër ta kalojë rekordin shqiptar deri të tanishëm që është Rona Nishliu me Florent Boshnjakun, me këngën aq të njohur “SUUS”, të cilët arritën të dalin të pestët në Evropë. Këshilla e vetme që mund t’i jap Gentit duke qenë njohës i aktivitetit në fjalë është që të vlerësojë në maksimum çdo dalje publike dhe çdo provë që bën, se ka vëmendjen e të gjithëve aty. Gjithsesi të kualifikohesh dhe të këndosh në mes të 26 më të mirëve të Evropës nuk është pak. Mendoni sa gëzuam kur morëm pjesë në kampionatin evropian të futbollit. Prandaj le ta mbështesim Gentin dhe ekipin shqiptar duke i uruar sukses”, ka përfunduar kompozitori Saraçi për Telegrafin.
Për performancën e zjarrtë të Eugentit, komente dha edhe mjeshtri i krijimtarisë muzikore në Radio Televisionin Shqiptar, Sokol Marsi, i cili njëherësh është edhe kompozitor dhe autor këngësh i njohur.
“Performanca e Eugentit në gjysmëfinalen e parë ishte shumë e mirë. Gjithçka shko ‘ok’ dhe publiku e mirëpriti me ovacione edhe në sallë. Po kështu edhe produksioni, dhe media u shpreh shumë pozitivisht në konferencën për shtyp pas natës gjysmëfinale”, ka thënë Sokol Marsi për Telegrafin, i cili njëherësh ndodhet bashkë me stafin shqiptar të “Eurovisionit”, dhe po ndjekin nga afër spektaklin në Lisbonë.
Me gjithë “mallin” që Shqipëria ndjente për natën finale, kënga “Mall” e këtij viti arriti t’i sigurojë shtetit shqiptar një biletë për në finale, të cilën nuk e kemi shijuar që nga viti 2015, kur për herë të fundit ishte Elhaida Dani, e cila arriti finalen me “I’m Alive”.
Ndërkohë, rekordmene në “Eurovision” mbetet këngëtarja shqiptare Rona Nishliu, e cila në vitin 2012 përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Suus”.
Ajo arriti të bëjë krenarë të gjithë shqiptarët, duke u renditur në vendin e pestë, me çka do të bënte që flamuri kombëtar të valëvitej në Top 5 flamujt më të arrirë në “Eurovision 2012”, të mbajtur në Baku të Azerbajxhanit.
Rona në një prononcim për Telegrafin vlerësoi gjithashtu lartë performancën e Eugentit, duke e quajtur të dinjitetshme.
“Prezantimi i Gentit ishte magjik, siguria në skenë, shijimi i këngës, origjinaliteti që karakterizon zërin e tij në notat lartë, figura e tij e butë por e mprehtë që rrezaton mirësi dhe qartësi, të bëjnë që Gentin të mos e humbasësh për asnjë sekondë e shpirtin e tij ta ndjesh shumë fort. Është i vërtetë dhe i pasionuar pas asaj që bën dhe këtë arrin ta transmetojë. Ishte vet mrekullia”, tha Rona Nishliu për Telegrafin.
E pyetur për pritshmëritë, nëse e sheh Eugentin si favorit në natën finale, me sinqeritetin më të madh këngëtarja u përgjigj se dëshiro nta shoh sa më lartë kolegun, duke uruar pse jo që edhe ta thyejë ‘rekordin’ e saj.
“E shof favorit dhe i uroj majën e toplistës, sepse zemrat e njerëzve i ka fituar. Paç fat në finale”, përfundon mesazhin e saj për Eugentin, Rona Nishliu.
Nata finale e “Eurovision 2018” do të zhvillohet më 12 maj në Lisbonë të Portugalisë, dhe në të do të garojnë 26 shtete të ndryshme.
Përveç Eugentit, në garë janë edhe dy shqiptarë të tjerë: Eleni Foureira që përfaqëson Qipron me këngën “Fuego”, dhe Ermal Meta që përfaqëson Italinë së bashku me Fabrizio Moron, me këngën “Non Mi Avete Fatto Niente”.
Duket se edicioni i sivjetmë i “Eurovisionit” mund të quhet “Eurovisioni i shqiptarëve”.
Eugenti është më se i gatshëm që të performojë edhe njëherë i zjarrtë në skenën e natës finale, gjersa shqiptarëve u mbetet vetëm ta mbështesin duke e votuar nga shteti përkatës në të cilin ata ndodhen. /Telegrafi/