Asamblistët e komunës së Prishtinës nuk e kanë votuar raportin vjetor buxhetor për vitin 2016, lidhur me shpenzimin e parasë publike.
Kjo pikë e rendit të ditës ka nxitur debat në mes zyrtarëve të Komunës në njërën anë dhe asamblistëve të opozitës nga njëra ana. Këta të fundit kanë paraqitur shumë vërejtje për mënyrën e shpenzimeve dhe të hyrave.
Flamur Shala, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se raporti nuk është i plotë sidomos në projektet kapitale. Ai tha se shpenzimet janë rritur për rreth gjysmë milioni euro, që për të kjo është shumë enorme.
Edhe Muhamet Selmani nga PDK-ja tha se Ekzekutivi ka dështuar në buxhetin për vitin 2016, si në të hyra ashtu edhe në realizimin e projekteve.
“Skandaloze mund ta quaj dështimin e investimeve kapitale, ku janë të realizuara vetëm 58.2 për qind të planit, apo thënë ndryshe nga 83.95 milionë të planifikuara për këtë kod në vitin 2016-të janë realizuar vetëm 19.75 milionë euro. Nga kjo del se Komuna ka humbur në investime kapitale në vlerë prej 14.2 milion eurove vetëm në vitin 2016-të. Nëse ia shtojmë edhe shumën mbi humbjet e parealizuara të vitit 2014-të dhe 2015-të, del se Komuna tre vitet e fundit vetëm në investime kapitale ka humbur rreth 49.3 milionë euro”, tha Selmani.
Në këtë mbledhje Agim Gashi i LDK-së kërkoi shpjegime nga kryetari Ahmeti për projektin e rrethrrotullimit Lakrishtë-Arbëri.
“Nuk e kam të qartë se si kanë mbërri të shpenzohen ato mjete kur unë nuk e di ku është ai rrethrrotullim”, tha Gashi, sipas të cilit vitin që shkoi në Prishtinë nuk është ndërtuar asnjë objekt shkollor në Prishtinë.
Më i ashpër në këtë debat ishte Shefki Gashi, i cili duke kritikuar zyrtarët e Komunës ka thënë se shpenzimet për derivate janë marramendëse. Gashi tha se një veturë e Komunës vetëm brenda një dite ka shpenzuar 26 litra naftë.
Ndaj kësaj deklarate të Gashit ka reaguar kryetari Shpend Ahmeti i cili i tha se i ka bërë gabim llogaritjet.
Polemikat mes Ahmetit dhe Gashit kanë vazhduar pa ndërprerë, derisa kryetari është detyruar që të dalë jashtë mbledhjes.
Kritikat e opozitarëve i ka kundërshtuar drejtori i Administratës, Muhedin Nushi, i cili tha se shpenzimet për vetura këtë vit kanë qenë 9.6 litra naftë në ditë.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal është miratuar propozimvendimi i planit për qoshqe dhe dhënia në shfrytëzim të përkohshëm e pronës komunale për këto qoshqe. Gjithashtu, u diskutua edhe raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, ku pati diskutim mes asamblistëve dhe Ekzekutivit komunal. /KosovaPress/