Site icon Telegrafi

Kritika kundër Trump, bëri shaka raciste derisa po nderonte veteranët

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të përfundojë në shënjestër të kritikave për komentet e tij të papërshtatshme.

Gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë në nder të veteranëve Navaho në Luftën e Dytë Botërore ai bëri një shaka me sfond racor.

Duke iu referuar veteranëve autoktonë amerikanë, Trump përsëriti pseudonimin që i ka vënë kundërshtares së tij politike, Elizabeth Warren, të cilën e quan Pokahontas.

“Ju keni qenë këtu shumë kohë përpara nesh. Ne kemi një përfaqësuese në Kongres për të cilën thonë se i ka rrënjët shumë të thella këtu. Ajo quhet Pokahontas”, u shpreh Donald Trump, Presidenti i SHBA.

Trump e ka tallur vazhdimisht Warren lidhur me pretendimet se e ka origjinën nga indianet e Amerikës, duke i vënë pseudonimin Pokahontas, siç quhej vajza e një lideri të fuqishëm indian në Virxhinian koloniale të shekullit të 17-të.

Gjatë fushatës ky lloj etiketimi nxiti brohorima dhe kritika, por të hënën audienca qëndroi e heshtur.

Warren, një ikonë progresiste nga Masacusetes deklaroi më vonë se ishte një fatkeqësi e madhe që presidenti amerikan bënte komente të tilla racore gjate një ceremonie për nderimin e heronjve.

Shtëpia e Bardhë e kundërshtoi senatoren dhe e fajësoi atë se nuk kishte qenë e sinqertë lidhur me prejardhjen e saj. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version