Cameron Diaz, në librin e saj “The Body Book”, jep këshilla për një trup më të shëndoshë, për një kujdesje më të mirë për trupin tuaj. Ajo ka thënë se nuk është gjithçka bukuria, por ne, do t’ju njohim me sekretet dhe këshillat e bukurisë të Diaz, për t’ju frymëzuar…
Cameron nuk ka frikë nga plakja
Ndryshe nga shumica e yjeve të Hollivudit, Diaz jo vetëm që nuk ndjen keqardhje për vitet që ka lënë pas, por madje ndihet krenare. Në një intervistë të dhënë ajo është shprehur: “Më pëlqen që unë tani jam 40 vjeç dhe unë tani ndihem më mirë se kur kam qenë 20 vjeç”. Diaz gjithashtu thotë se duhet të kujdesesh për shëndetin dhe trupin tënd, në vend që të mendosh për rininë e përjetshme, vetëm në këtë mënyrë mund ta duash trupin tënd.
Cameron merret me sport vazhdimisht
Në librin e saj, Diaz jep disa këshilla të vyera për mbajtjen e trupit në formë. Ajo këshillon se të merresh me sport duhet të bëhet pjesë e rutinës suaj të përditshme dhe se duhen kombinuar aktivitetet në palestër me jetesën aktive. Diaz është shprehur për mediet se “unë gjatë ditës përdor çdo mundësi apo kohë të lirë për të lëvizur më tepër”
Cameron mban dieta pa karbohidrate
Diaz është kundra dietave të rrepta të cilat eliminojnë apo kufizojnë në maksimum karbohidratet. Ajo shprehet: “Mua më pëlqen të jem aktive dhe dua të ndjej se truri im po punon siç duhet. Prandaj unë e dua ushqimin të pasur me karbohidrate pasi më japin energji për tu marrë me gjërat që dua”. Por sigurisht Diaz konsumon karbohidrate të dobishme, të marra kryesisht nga drithërat natyrale, të cilat ajo nuk i ndan nga mëngjesi i saj.
Cameron ndihet e përsosur në mosperfeksionin e saj
Pavarësisht se imazhi i saj është larg nga një dive të përsosur Hollywoodi, ajo ndihet shumë mirë me këtë gjë. Asaj nuk i pëlqen të jetë perfekte në të gjitha aspektet, por dëshiron të jetë sa më natyrale. Madje edhe në daljet e saj në ekran, megjithë përpjekjet e stilistëve, ajo i lë pothuajse gjithnjë flokët pak të shpupuritura, pasi kështu ndihet më mirë me veten. Por janë mbase pikërisht këto detaje të papërsosshmërisë që e bëjnë Diaz të duket perfekte dhe kaq e dashur nga fansat e saj…
Cameron është kundër ndërhyrjeve plastike
Cameron nuk i pëlqen që të përmirësojë bukurinë dhe trupin e saj përmes ndërhyrjeve plastike. Ajo ka bërë vetëm një herë operacion plastik në hundë, dhe kjo për shkak të shëndetit, pasi theu hundën kur po merrej me surfing, shkruan Ladyalbania. Ajo shprehet në një intervistë: “Mendoj se operacionet plastike mua nuk më ndihmojnë. Një gjoks më i madh nuk më jep më shumë siguri dhe besim në vetvete, por përkundrazi…”. /Telegrafi/