Site icon Telegrafi

Kristo Frashëri dorëzoi letrën, ku për të thuhej: Po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe!

Kristo Frashëri (foto: LSA)

Toksikologu Qemal Poçi ishte shok lufte i historianit Kristo Frashëri. Më 2016, kur Frashëri u nda nga jeta, në redaksinë e gazetës “Dita” dërgoi foton e mëposhtme të realizuar në nëntor të vitit 1945 në Kukës.

Personat me uniforma ushtarake që shfaqen në foto janë drejtuesit e Brigadës XI Sulmuese. Në rreshtin e parë, nga e majta janë: Minir Dema – komisar batalioni, Dilaver Radeshi – komandant batalioni, Dilaver Poçi – zëvendëskomisar brigade, Halil Pulaj – komisar brigade, Xhevat Ahmataj – komisar batalioni, Sul Domi – operativ i brigadës dhe Haki Driza – shefi i armatimit. Në rreshtin e dytë sipër, nga e majta janë: Jano Andoni – komisar i kompanisë së shtabit, Fajko Zajmi – intendenti i brigadës, Shefqet Kruja – oficeri informativ i brigadës dhe Kristo Frashëri – agjitpropi. Poshtë ulur është Qemal Poçi – korrier i shtabit të brigadës.

Fatet e këtij grupi shokësh kanë qenë nga më të ndryshmet. Kristo Frashëri u bë nga historianët më të njohur, më prodhimtar dhe njëherësh ndër më të respektuarit e fushës, që edhe në moshë të shtyrë vijoi punën duke përfunduar dhe sjellë për publikun disa nga punimet e tij më serioze.

Por, historia mund të kishte qenë krejt tjetër për Kristo Frashërin. I përjashtuar nga partia që në vitin 1942, Frashëri u dërgua për riedukim në çetën e Pezës me një zarf në dorë, që i ishte dhënë nga vetë Enver Hoxha e brenda të cilit ishte një letër për komisarin e Pezës.

Sipas urdhrit të Hoxhës, Frashëri duhej ta dorëzonte letrën të pahapur. Ai zbatoi urdhrin dhe e dorëzoi letrën pa e prekur. 60 vjet më pas e kërkoi atë letër dhe e gjeti në Arkivin Qendror të Shtetit. Letra kishte këtë përmbajtje: “Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver”!

Me fjalë të tjera, ndryshe nga shoku i tij i ngushtë i Grupit të të Rinjve, Anastas Lula, Kristo Frashëri shpëtoi nga zemërgjerësia e atyre që u drejtohej letra, ose nga një instinkt i brendshëm që e shtyri të punonte andej e tutje për luftën – pa u përzier në përplasjet politike.

Frashëri erdhi në Tiranë në vitin 1927, nga Stambolli – ku kishte lindur më 1920 – dhe deri në momentin e shkrepjes së kësaj fotoje më 1945, ku cilësohet punonjës i agjitpropit (agjitacion propagandës), kishte kaluar shumë dallgë.

Po emrat e tjerë në foto?

Dilaver Radeshi, kolonel i njohur, do të kritikonte veprimin e heqjes së gradave nga regjimi komunist në vitin 1966 dhe për këtë burgoset. 22 vjet pas kësaj fotoje, Radeshi do të shquhej si grevist urie në Spaç, për kushtet e këqija në burg.

Dilaver Poçi, gjeneral dhe drejtor politik i ushtrisë, u internua e pastaj u burgos për “mungesë vigjilence” pas dënimit të Beqir Ballukut. Edhe Sul Domi u godit në të njëjtën periudhë.

Personi që ka ruajtur foton, Qemal Poçi, përfundoi studimet e larta për Veterinari Ushtarake dhe u dërgua për specializim në Bashkimin Sovjetik. Ai iu kushtua shkencës, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme në mjekësinë ushtarake. /Gazeta “Dita”/

 

Exit mobile version