Një triumf madhështor i Kristian Prengës. Luftëtari shqiptar po ngjit shkallët e boksit profesionist në peshat e rënda dhe këtë e tregoi duke e dominuar në të gjitha drejtimet duelin përballë kampionit të Kanadasë, Tim Chemelli.
Sfida e zhvilluar në “Toronto Covention Center” nisi menjëherë e zjarrtë, me dy luftëtarët që shkëmbyen goditje, megjithatë, në mbyllje të raundit fillestar, 27- vjeçari nga Mirdita bëri diferencën me fuqinë e tij.
Një goditje e saktë e Prengës e rrëzoi në tapet boksierin kanadez, i cili me vështirësi, arriti të ri-ngrihej, përcjell Supersport.
Raundi i dytë ishte vendimtar për fitoren e mrekullueshme të Prengës, pasi, reagimit fillestar të Chemellit, iu kundërpërgjigj me një goditje nokauti.
E majta e boksierit shqiptar rezultoi e papërballueshme për kundërshtarin e tij.
Një fitore e ardhur nëpërmjet një paraqitjeje fantastike dhe nën entuziazmin e shumë tifozëve shqiptarë, të cilët ndodheshin në “Toronto Convention Center” për të mbështetur Kristian Prengën.
Për djaloshin nga Mirdita, i cili zotëron dy tituj kampion Evrope dhe një kampion bote në kik-boks, kjo ishte fitorja e tetë në boksin profesionist, ku tre prej të cilave kanë ardhur me nokaut teknik.
Një tjetër arritje për 27- vjeçarin, që po ngjit shumë shkallë në renditjen e përgjithshme, ku tashmë ndodhet i pozicionuar në vendin e 250 nga 1212 boksierë të regjistruar në peshat e rënda.