Telegrafi

Kristensen: Kriza financiare kërcënon me falimentim disa vende të Ballkanit

Në një intervistë që i dha këto ditë gazetës çeke "Lidove novine", ekonomisti i shquar theksoi se ndër vendet që pritet të goditen më shumë nga kriza, parashikohet të jetë Sllovenia, së cilës ai i parashikon të njëjtin fat si Islanda, sidomos për shkak të problemeve serioze që ka ky vend në financat publike. Sipas tij, probleme të ngjashme si Sllovenia, kanë edhe Kroacia, Rumania, Bullgaria, Ukraina dhe Serbia.

"Më shumë shtete europiane ndodhen përballë mundësisë së falimentimit. Shembulli i fundit ishte Islanda, por nuk është larg as Ukraina. Po ashtu, nuk janë të përjashtuar as vendet ballkanike, megjithëse nuk do të dëshiroja që kjo të ndodhte", vuri në dukje në intervistën e lartpërmendur z. Kristensen, sipas të cilit mënyra, me të cilën po bëhen përpjekje për ta zgjidhur krizën financiare aktuale, është problematike: bankat u japin kredi "bujare" kompanive që janë në telashe të mëdha, por kjo mund të jetë katastrofike.

"Në rast se Banka Qendrore Europiane vazhdon të mbajë qëndrime të tilla, atëherë ka shumë të ngjarë që të ndodhemi përballë një krize iminente të re, që do të kërcënojë seriozisht shumë shtete", theksoi në intervistën e tij Lars Kristenseni, duke shtuar se ai është i bindur se politika monetare europiane është e gabuar:

"Është problematik fakti se e njëjta valutë përdoret në një numër të madh vendesh, që kanë ndryshime drastike sa u përket pagave, çmimeve, fuqisë politike e financiare, normave kulturore e civilizuese. Po të më pyesnin mua, unë do të sugjeroja që në Bashkimin Europian të hynte një shtet-anëtar i ri, pasi prej tij të dilte një shtet-anëtar i vjetër!" , theksoi ai.

Media e Sllovenisë u ka kërkuar qeverisë dhe autoriteteve përkatëse të vendit që t‘i marrin seriozisht në konsideratë paralajmërimet e njërit prej ekspertëve më në zë në fushën ekonomiko-financiare të botës, i cili ka parashikuar me saktësi një sërë falimentimesh financiare.