Site icon Telegrafi

Krisje në kampin e Milanit? Leao dhe Hernandez ‘injoruan’ trajnerin dhe bashkëlojtarët

Rafael Leao dhe Theo Hernandez befasisht ishin lënë në bankën rezervë nga trajneri Paulo Fonseca për takimin ndaj Lazios, teksa u futën në fushë në pjesën e dytë duke arritur që pas vetëm 30 sekondave të kombinohen për golin e Milanit.

Megjithatë, ajo që u vërejt dhe po bën bujë në mediat italiane, është fakti se dyshja refuzuan që të përfshiheshin në bisedën që Fonseca e bëri me ekipin gjatë pauzës për t’u freskuar me ujë.

Pothuajse menjëherë pasi u fut në fushë, Leao bëri një vrapim fantastik në krahun e majtë duke u kombinuar me Hernandezin dhe Tammy Abraham, për të shënuar golin e dytë të Milanit.

Ndeshja më pas eventualisht u ndërpre për pak çaste nga gjyqtari për t’u freskuar me ujë, aty ku trajnerët e shfrytëzuan për t’i dhënë këshilla lojtarëve të tyre.

Leao dhe Theo ishin të vetmit nga të dy ekipet që nuk iu bashkuan pjesës tjetër të bashkëlojtarëve.

Në vend të kësaj, ata pritën në krahun e majtë, pra kahun e kundërt të fushës ku janë të vendosur Fonseca dhe stafi i tij duke pritur që ndeshja të rifillonte.

Goli i Leaos bëri që rezultati të bëhej 2-2 dhe ‘Rossonerët’ arritën që të sigurojnë një pikë në këtë takim, por nuk e kanë gjetur ende fitoren këtë sezon./Telegrafi/

Exit mobile version