Telegrafi

Kripa i qon në gjykatë

Kripa për pastrimin e rrugëve regjionale, Ministrisë së Infrastrukturës mund t’i dalë më e ‘njelmët’ se që duhet. Madje mund t’i çojë në burg disa zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, nëse gjykata konstaton njëjtë sikur eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që ndryshe njihet si ‘Gjykata e tenderëve’, se tenderi për furnizim me kripë i Ministrisë së Infrastrukturës nuk ka shkuar në bazë të procedurave ligjore.

Ministria e Infrastrukturës kishte shpërblyer Operatorin Ekonomik “Pagarusha” në tenderin “Furnizim me kripë industriale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale të Republikës së Kosovës 2013/2014 – ritender” në vlerë prej 1 milion e 96 mijë e 562 eurove edhe pse ishte më i shtrenjtë për më shumë se 200 mijë euro në krahasim me ofertuesin tjetër, kompaninë “Pro Biznis”.

Kjo kompani tashmë ka paditur këtë ministri pasi që nuk ka arrit të marrë përgjigje nga OSHP në lidhje me këtë tender në mungesë të anëtarëve të këtij institucioni në atë kohë. Pronari i kompanisë “Pro Biznis”, Hajrullah Hasani ka njoftuar për Tribuna se në lidhje me këtë tenderë ka bërë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në atë Ekonomike. /Tribuna/Telegrafi/