Policia e Korçës dha sqarime zyrtare në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur gjatë natës së shkuar në Lagjen Nr. 4 të qytetit juglindor.
Sipas policisë, 41 vjeçari Naum Toshi, gjatë natës, pasi ka mbytur e më pas ka varur dy djemtë e tij të mitur, është vetëvarur edhe vetë në ambientet e dhomës së tij.
Në vendin e ngjarjes, sqaron policia, janë konstatuar edhe disa shënime, të cilat viktima ia kishte lënë babait të tij, ku e sqaronte atë për aktin që do të kryente.
“Nga veprimet hetimore të kryera nga ana e shërbimeve policore në vendngjarje, rezulton se shtetasi N.T, gjatë natës, pasi ka mbytur e më pas ka varur dy djemtë e tij të mitur, është vetëvarur edhe vetë në ambientet e dhomës së tij. Në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe disa shënime, të cilat viktima ia kishte lënë babait të tij, ku e sqaronte atë për aktin që do të kryente”, sqaron policia.
Policia thekson “se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie, ndaj bashkëshortes së tij shtetases M.T, 22 vjeçe, me të cilën i ndjeri ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme”.
Sipas policisë, djali 7 vjeçar është fëmija i parë i bashkëshortes së tij, ndërsa 4 vjeçari është fëmija i tij.
Policia ka kryer gjithë veprimet e nevojshme procedurale të rastit, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” . /Telegrafi/