Do t’ju shkojë ndërmend të thoni që e kam tepruar me këtë titull. Unë nuk po flas për definicionin e Kodit Penal të Kosovës, por për atë që përshkruajnë në mendjet tona fjalët “krim i organizuar”.
Unë mund t’ju siguroj që në UP krimi është i organizuar. Duke nisur nga referentët e deri në majat e Rektoratit; me ose pa dashje gjithçka është e harmonizuar. asisoj që krimi të ndodhë pa u ndëshkuar. Janë dashur hedhje ngjyrash, presion publik në Prokurori, të cilës i dërguam në maj të 2012-ës një sërë dokumentesh ku shihej zi në bardh mashtrimi, hajnia dhe gjithçka tjetër që përbënte krim, për të vepruar tash. Patëm dorëzuar dokumente që provonin falsifikimin, por asnjë arrestim nuk u bë. Prokurorisë dhe hetuesve iu deshtë tepër shumë kohë për ndërmarrjen e para disa ditëve. Prapë, më mirë vonë se kurrë.
Ajo që ka çuditur secilin është arrestimi i shumë studentëve. Nuk e di a e dini, por në UP, ndonëse jo sa duhet, studentët “përfaqësues” po ta luanin rolin e tyre si student dhe jo si kriminelë, UP-ja moti do të ishte çliruar. Edhe me këto pak kompetenca që iu janë dhënë studentëve, mekanizmat e kontrollit do ta shpartallonin këdo që mundohet të vë dorë mbi UP-në.
Gjatë zgjedhjeve studentore janë harxhuar dhjetëra mijëra euro nga financuesit e organizatave studentore për t’i mbështetur ato në fitoren kundër “Studim Kritikë Veprim” e cila ua prishte krejt planet. Banera të mëdhenj që kushtojnë fort shtrenjtë, ahengje, qindra bluza për një organizatë të shtypura me logo, postera, kartëvizita, mbushje telefoni që shpërndaheshin pa kontroll, dhe krejt në fund bartja e rreth 200 indeksave me qese najloni nëpër Fakultetin Filozofik në ditën e zgjedhjeve. Këto s’mund t’i bënin organizatat studentore që udhëhiqen prej studentëve mediokër e shpeshherë edhe prej disa idiotëve që s’do tua merrte mendja se udhëheqin diçka. Këto financime ua sigurojnë grupet kriminale.
Po përse jepet gjithë kjo mbështetje për disa organizata studentore për të cilat dëgjoni vetëm njëherë në dy vite (gjatë zgjedhjeve në UP)? Pas zgjedhjeve, studentët “përfaqësues” marrin pjesë nëpër këshille të ndryshme brenda UP-së, qoftë në komisione në të cilat bëhen thirrjet akademike, qoftë nëpër këshille fakultetesh, qoftë nëpër mekanizma të tjerë me rëndësi për universitetin. Të tillë si Arian Janova që ishte për shumë kohë senator e që u arrestua këtyre ditëve bëjnë lloj-lloj dallaveresh. Para disa kohësh, një referente e një fakulteti më ndaloi e më foli për hallin e saj. Ajo insistonte që vet Arian Janova i kishte hyrë në zyrë dhe i kishte bërë presion të kryente një punë për një studente duke i thënë “është urdhër nga lart”. Referentja kishte rezistuar, siç më tha ajo në fillim, por më pas nuk e di nëse e ka kryer atë punë apo jo. Ajo e dinte se Janova, duke qenë senator dhe duke u kryer shërbime të tilla dekanëve e drejtuesve të UP-së si heshtje në raste kriminale nga ana e tyre, ai ka atë fuqi sa ta fusë dikë në UP si student apo ta nxjerrë nga puna një referent të thjeshtë. Kësisoj është krimi në UP.
Studentët “përfaqësues” heshtin kur kanë nevojë dekanët apo Këshilli Drejtues i Universitetit, pastaj bashkohen në krim dhe i kryejnë favore njëri tjetrit. Universiteti i Prishtinës e ka marrë teposhtëzen që ç’të ju them.
Po si mund të rregullohet kjo punë? Së pari duke bërë presion te rektori i ri që të gjitha mbledhjet e të gjithë mekanizmave të jenë të hapura për mbikëqyrje si nga ana e studentëve dhe profesorëve ashtu edhe nga mediat. Paramendojeni kur komisionet për thirrje akademike t’i shqyrtonin aplikantët si puna e Kamishit në Fakultetin e Mjekësisë apo të tjerë profesorë krejt të mosditur përpara mediave. Do të ishte vërtetë interesante, se atëherë do të shihnit çfarë do me thënë krimi i organizuar.
Një numër profesorësh të ndershëm e të papërfshirë në krim po qëndrojnë të heshtur. Organizatat studentore të papërfshira kanë mbetur nën hijen e aktiviteteve elektorale të partive që mbështesin. Studentët në mjerimin e tyre ekonomik e intelektual, s’janë të aftë të bashkohen e ta drejtojnë një thirrje të përbashkët për universitetin.
Po e lamë në dorën e prokurorëve, këta që u arrestuan shpejt do të zëvendësohen nga të tjerë të cilët do të arrestohen prapë po pas 4 vitesh. Me rëndësi është të sulmohet sistemi i tanishëm universitar. Të ushtrohet transparenca në të gjitha mekanizmat universitare, profesorët që kanë heshtur deri tash të fillojnë të shkruajnë siç po shkruaj unë, e të organizohemi bashkë për ta ndalë këtë që po ndodh. Mbajeni mirë në mend: se çfarë do të jetë shoqëria jonë në 20 vitet e ardhshme varet nga si është sot Universiteti i Prishtinës që bart 90 për qind të arsimit të lartë në Kosovë. E unë po ju them, Universiteti i Prishtinës është shumë keq!