Telegrafi

Krimi i organizuar i shkakton humbje milionëshe PTK-së

“Përmes këtij aktiviteti ilegal, nuk po dëmtohet vetëm pasuria korporatës por e tërë Kosovës. Kjo është një formë e krimit të organizuar, pas të cilës qëndrojnë persona të papërgjegjshëm brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në një njoftim zyrtar të PTK-së.

Me këtë rast menaxhmenti i PTK-së, ka ftuar të gjithë qytetarët që në rastet kur pranojnë thirrje nga jashtë Kosova, ndërkohë që në telefonin e tyre mobil paraqitet numri i operatorit Vala, ta raportojnë atë menjëherë në Qendrën e Thirrjeve të PTK-së.

Ndryshe SIM to SIM është një dukuri negative, që ka të bëjë me terminimin e trafikut ndërkombëtar hyrës. Ky aktivitet përbën formë të veçantë të ofrimit të shërbimeve, për të cilën fushë PTK-së nuk ka dhënë asnjë lloj leje apo aprovimi paraprak. Kjo çështje përbën regjim të veçantë të komunikimit, për të cilën veprimtari kërkohen leje dhe licenca speciale nga organet dhe institucionet kompetente të Republikës së Kosovës.

Në kushte normale, komunikimi telefonik ndërmjet dy shteteve realizohet nëpërmjet një rrjeti ndërkombëtar, që përfshin shumë shtete. Në të kundërtën “SIM to SIM” mundëson komunikimin telefonik në atë mënyrë, që rrjeti ndërkombëtar telefonik mes dy shteteve zëvendësohet plotësisht me komunikim nëpërmjet rrjeteve ilegale.

Kësisoj, shumë persona të papërgjegjshëm kanë blerë numra PrePaid te Vala-s dhe kanë lidhur kontrata mbi Post-Paid në Vala dhe i kanë shfrytëzuar për këtë veprimtari, e cila është ilegale dhe i shkakton dëme të mëdha operatorit Vala.

Menaxhmenti i ri Ekzekutiv i PTK sh.a.-së, gjithashtu, fton organet kompetente që përmes mekanizmave të tyre, të luftojnë këtë dukuri kriminale dhe të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës. /Telegrafi/