Site icon Telegrafi

Krimi i fshehur nën pelerinën e nacionalizmit

Sa më gjatë që politikanët shqiptarë e mbajnë vendin jashtë strukturës evropiane, ata aq më të pushtetshëm do të jenë në vend. Në Kosovë ky fakt është shumë aktual, sepse lidershipi i saj, në bazë të disa akuzave për ‘krime lufte’ dhe dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion, udhëheqja e saj në shtetet evropiane, ose pritet me nervozizëm dhe hezitim, ose nuk pritet fare.

Kjo është një alibi e favorshme që udhëheqja e sotme në të dy anët e kufirit të jetë e vetëdijshme, që afrimi me strukturat evropiane është edhe fundi i pushtetit të tyre, nëse mbështetemi në praktikat e Kroacisë dhe të disa shteteve tjera, dhe luftën që e udhëhoqën ato kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në strukturat e larta shtetërore.

Krimi i cili fshihet nën pelerinën e nacionalizmit, e që në Kosovë dhe në Shqipëri është bërë praktikë tashmë, po e vështirëson jashtëzakonisht shumë perspektivën nacionale, politike dhe ekonomike të të dy shteteve. Pra, ajo po i mbanë peng proceset integruese dhe nën atunë e nacionalizmit po e legjitimon pushtetin e zhdrejtë.

Hapi i guximshëm që ndërmori prokuroria kroate ndaj ish kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader, ishte hapi më i guximshëm i këtij organi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zaten ky guxim prokurorial, solli disiplinë qeveritare dhe i siguroj qytetarët e saj, por edhe ndërkombëtarët, që rruga e Kroacisë drejt BE-së të jetë më e sigurt.

Pothuaj e njëjta situatë rreth pushtetit të zhdrejtë, që ushtrohej për një dekadë nga nacionalistët në Kroaci, tani po ndodhë në Kosovë. Nëse prokuroria e Kosovës e ndjekë tani rrugën e gjyqësisë së Kroacisë, atëherë rruga në forcimin e shtetit ligjorë, do të jetë shumë më e shkurtër.

Edhe në këtë shtet tashmë pothuaj i strukturuar në organizmat e BE-së, zaten krimi i organizuar dhe korrupsioni për shumë vite konakun më të sigurt e ka gjetur tek “nacionalistët” e HDZ-së, që ishin në pushtet. Por, shkëputja e drejtësisë nga politika ia prishi këtë konak dhe e solli ish kreun e saj në burg, ndërsa Kroacinë e hodhi në ujërat e BE-së.

Vendosmëria politike dhe juridike, vetëdijesimi nacional, gatishmëria, sakrifica dhe interesi nacional i klasës politike aktuale në Kroaci dhe natyrisht gatishmëria e prokurorisë, për ta mbrojtur pavarësinë e saj, bëri që lufta ndaj së keqes së vendit të filloj në kupolë.

Kjo luftë bëhet në ato shtete që kanë bazë të fortë dhe të qëndrueshme të shtetësisë, çka Kosovës dhe Shqipërisë i mungon së tepërmi. E kjo është gjyqësia e pavarur. Në këtë vetëdijesim ndikuan edhe kushtëzimet e njëpasnjëshme të strukturave të BE-së, duke i bërë të ditur vazhdimisht autoritetet kroate se pa hapa konkret në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, afrimi me këto struktura është i pamundur.

Është e ditur që asistenca e BE-së në luftën ndaj këtyre dukurive, të cilat janë kancer i demokracisë dhe shtetësisë, ishte i pakursyer në shtetin kroat. Gjë e cila nuk ndodhi edhe me Kosovën. Ndoshta edhe gatishmëria e Prishtinës mungoi dhe po mungon në këtë rast!

Prania e BE-së në Kosovë është shumë e dukshme dhe me një potencial financiar dhe kadrovik, siç është quajtur nga segmente të caktuara, si më i madhi dhe më i kushtueshmi i këtij lloji i përqendruar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian. Nganjëherë të krijohet përshtypja që ky mision luan rolin e një statisti në krejt këtë mizanskenë politike. Por, edhe përkundër këtij përqendrimi evropian, situata politike mbetet e njëjtë në konsolidimin e pushtetit ligjorë dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet vetëm një dëshirë e paarrirë.

Është e vërtetë e pamohueshme që liderët “biznesmenë“ të Kosovës nuk kanë ndonjë leverdi që Kosova të anëtarësohet në BE edhe për disa kohë, sepse për t’u anëtarësuar duhet që të gjithë këta liderë të kalojnë nëpër skanerin e Komisionit Evropian. Prandaj, gjyqësia kosovare e korruptuar dhe e kriminalizuar skajshmërisht, nuk mund ta dënoj vetveten, por edhe liderët e Kosovës nuk mund ta dënojnë vetveten. Ndërsa populli i saj i pafuqishëm, duhet të pres deri sa të pikë nga qielli një lider që vërtetë i don të mirën këtij populli dhe këtij shteti.

Exit mobile version