Familjarët e Binak dhe Reshat Daçaj, të vrarë gjatë luftës në Prizren, kanë reaguar ndaj Milosh Pleskoviq-Miki, i cili ka mohuar të ketë kryer aktin makabër gjatë paraqitjes së tij në seancën e sotme gjyqësore në Prishtinë.
Pas seancës gjyqësore, nëna e viktimave, Minire Daçaj, ka akuzuar Milosh Pleskoviq se ka vrarë dy djemtë e saj binjakë.
Daçaj, me lot në sy, ka treguar rastin e ngjarjes makabre.
Ajo ka thënë se Binaku dhe Reshati kanë shkuar në mal dhe pas një jave i kanë gjetur trupat e tyre të pajetë.
“Miki (Nofka e Milosh Pleskoviq) m’i ka mbytur dy djemtë. Kanë shkuar në mal edhe ky Miki m’i ka mbytur në mal, nuk i ka pa nëna hiq. Në mal kanë mbetur një javë ditë, as nuk i kam pa për me i shti në tokë, nuk na kanë lënë Miki e të tjerët. Ky është. Dy djem nga 29-vjeç, e tash po thotë jo. Krejt i ka mbytur. Duke pritur që po vinë, plakut i kam thanë: ‘plak, djemtë na i kanë mbytur’. Një javë ditë s’e kemi ditë. të vrarë i kemi gjetur”, ka rrëfyer Daçaj, për KP.
Avokati i viktimave, Gent Gjini ka kërkuar nga gjykata për krime të rënda që të dalin në vendin e ngjarjes dhe të shikohet se si është kryer krimi.
Ai e ka quajtur të papranueshme që Pleskoviq të gjykohet në bazë të ligjeve të Jugosllavisë, sipas të cilave dënimi maksimal mund të jetë nga pesë deri në 20 vjet burg.
“Është një rast tragjik, sepse kemi të bëjmë me një profil krimineli, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt me krime gjenocidale në mënyrë makabre, ku sipas aktakuzës personi është i involvuar në prerjen e gjymtyrëve dhe vrasjen e djemve të zonjës këtu në fjalë. Në seancë gjyqësore, i njëjti u pa se kishte edhe një arrogancë mënyrë e paraqitjes, fizionomia e tij tregon se është kryes kriminel. Ne kërkojmë nga ana e gjykatës që në ditët në vijim të dalim në vend të ngjarjes të shikohet vendi se si është bërë ky krim. Për ne është e papranueshme se ky kriminel, po gjykohet me ligjin e Jugosllavisë dhe ky ligj, e ka paraparë dënimin maksimal është pesë deri në 20 vjet. Ne gjithmonë do të luftojmë për më të mirën që ky kriminel të dënohet dhe të shpallet fajtor nga gjykata”, ka deklaruar Gjini.
Ndryshe, Milosh Pleskoviq është arrestuar më 29 shtator 2023 pasi dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve, në lagjen “Hoqa Mahall” në Prizren, në vitin 1998. /Telegrafi/