Po të m’i ofronte dikush 100 mijë euro, edhe unë do të dilja në publik të deklaroja se Hashim Thaçi (kryeministri aktual i Kosovës) e ka pasur ndërmend të më vras. Me këtë qasje, nuk dua të mbrojë ose të sulmojë askënd. Kjo qasje vetëm sa e shpjegon situatën politike dhe ekonomike fragjile ose të thyeshme e të paqëndrueshme në Kosovë. Situatë ku të gjitha mundësitë, për gjithçka, mbeten të hapura.
Kjo është situata që mbretëron në Kosovë. Përafërsisht, e njëjta situatë ekziston edhe në Shqipëri. Ishte e enjte, data 26 nëntor 2009. Gjatë tërë asaj dite ishte përfolur për një CD që ishte diskutuar në Kuvendin e Kosovës. Ishin dhënë deklarata nga më të ndryshmet. Deklarata në Kuvendin e Kosovës, e përcjellë me CD, kishte ndezur debatin anembanë, edhe mes qytetarëve të Kosovës.
Po atë ditë ose datë, por dikur në orët e mbrëmjes, kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha, mban fjalimin e tij të radhës në Kuvendin e Shqipërisë. Ky fjalim, këtë herë, ishte pakëz më i pazakontë. Ai shfryhej me plot mllef kundër liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai përmendte nënën, babanë, gruan, fëmijën, pra, krejt familjen e Edi Ramës. Nuk dihet se sa ka të vërteta në deklarimet e Sali Berishës, por ajo që dihet është se një kryeministër nuk do të deklaronte gjëra të tilla. Me fjalë të tjera, situatë fragjile e thyeshme dhe e paqëndrueshme është edhe në Shqipëri, ku gjithçka rrënohet shumë lehtë.
Deklarimet në Kuvendin e Kosovës (dhe CD-ja) dhe deklarimet në Kuvendin e Shqipërisë (Sali Berisha), në të njëjtën datë e ditë, por në intervale të ndryshme kohore, nuk ishin të rastësishme. Për një arsye. Në ditën vijuese kishim ditën e Kurban Bajramit dhe më pas edhe festën mbarëshqiptare të 28 nëntorit. Këto dy ditë përshkohen nga situata ku njerëzit (ose komunitetet) rrinë bashkë dhe bisedojnë, pra, ku familjet bëhen bashkë, ku shokët bëhen bashkë, ku kolegët bëhen bashkë. Dhe ku bisedohet për çdo gjë, edhe për politikë. Dita e 26 nëntorit njëmendët u ka ofruar tema për bisedë krejt shqiptarëve. Dihet që situata në Kosovë (për mungesë të debatit medial), por edhe në Shqipëri (për arsye të ndryshme) është e tillë që fituesi ose humbësi (në secilën situatë) mund të përcaktohet shumë lehtë nga biseda të tilla me shkas, pra, nga thashethemet e pakonfirmuara.
Nuk dua të jem injorant, por si qytetar i këtij vendi kam arsye të besoj që qeveria e Kosovës (nga kushdo që udhëhiqet) duhet të trajtoj, të diskutoj e t’u ofroj zgjidhje problemeve të qytetarëve të Kosovës. Por, kjo nuk po ndodhë. Po ndodhë e kundërta. Qytetarët e Kosovës po trajtojnë, po diskutojnë, e besa po ofrojnë edhe zgjidhje për problemet e qeverisë së Kosovës. Kështu, si në Kosovë si në Shqipëri, lehtë mund të përmbyllet se qeveritë e këtyre dy vendeve nuk janë ndërtuar për qytetarët e Kosovës, por për vete. Ose qytetarët e këtyre dy vendeve janë aty për qeveritë e tyre. Në fakt, këtu edhe unë do të pajtohesha më deklarimin që “Jemi Një”. Bile, nuk dallojmë fare.
Ndërkohë, qytetarët e Serbisë do të fillojnë të udhëtojnë nëpër vendet e Bashkimit Evropian (BE) pa viza, para datës 1 janar 2010. Plus, edhe SHBA po diskuton për heqjen ose dhënien pa asnjë kusht të vizave për qytetarët e Serbisë për pesë vjet për të hyrë në këtë vend. Dikush këtë e quan treg politik në prag të hapjes së gjykimit nga GJND për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ose të “ndarjes” së saj nga Serbia. Kjo mund të jetë ashtu, pra nuk përjashtohet një treg i tillë. Por, është për lakmi zhdërjellësia e Presidentit Serb, Boris Tadiq. Ai po realizon edhe interesin e qytetarëve të shtetit të tij, por edhe interesin politik të diplomacisë së tij, edhe në marrëdhënie me jashtë edhe në marrëdhënie me brenda.
Askush nuk e mohon që në Serbi të mos ketë korrupsion e krim. Por, Serbia po del nga situata ku korrupsioni dhe krimi të përcaktojë fatin e qytetarit serb dhe vet fatin e Serbisë. Në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdon të mbretërojë situata ku korrupsioni dhe krimi e përcaktojnë të sotmen dhe të ardhmen e qytetarit shqiptar, pra të qytetarit të Kosovës dhe të qytetarit të Shqipërisë. Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk ka vullnet politik, bile as njerëzor, për asgjë. Ose, në Kosovë dhe në Shqipëri ka vullnet që për arsyer personale e politike, pra për arsye se pushteti na qenka i ëmbël, të shkatërrohen të gjitha, pa asnjë fije hamendje.
Për më tepër, në Kosovë nuk ka as vullnet qytetar që gjërat të ndryshojnë. Ndërkohë, në Kosovë ka vullnet tek disa qytetarë të Kosovës që të promovohet bashkimi me Shqipërinë. Personalisht, mendoj që ideja e tillë nuk është e keqe (sic!). Por, po më habit fakti se si në vend që të trajtojmë, të ndeshemi e të ballafaqohemi me realitetin politik dhe ekonomik të krijuar në Kosovë (për shkak të politikanëve të mjerë e të uritur për pushtetin e ëmbël) dikush ka vakt të mendojë për bashkimin me Shqipërinë.
Për vete, nuk e kam ndërmend të elaborojë këtë situatë, por është evidente që si qytetar i Kosovës, nëse dikush do të më pyeste nëse do të zgjedhja mes Boris Tadiqit dhe Sali Berishës, atëherë pa kurrfarë hamendje do të përcaktohesha për Boris Tadiqin. Shpresoj që e gjithë kjo të jetë vetëm çështje mllefi.