Mirëpo, siç duket ky hamam nuk do të këtë hijeshinë me të cilën ishte dalluar deri vonë. Restaurimet në këtë monument të kulturës, të cilat janë bërë pa shije, e kanë shëmtuar pamjen e këtij objekti qindravjeçar.
Në rrjetet sociale, po qarkullojnë disa fotografi të cilat tregojnë pamjen e hamamit, para dhe pas fillimit te renovimit, shumë qytetarë dhe figura publike e kanë shprehur indinjatën e thellë me pamjen e re të Hamamit.
Madje sipas analistëve, ekspertëve e qytatarëve, jo vetëm se që nuk do të ndodhte diçka e tillë, por ata që e kanë bërë këtë gjë, duhet të japin llogari dhe të ndëshkohen. Dhe ndëshkimi më i mirë sipas tyre, do të ishte burgosja.
Artisti Hektor Gjurgjiali, i cili është i profilizuar në fushën e arkitekturës, i indinjuar ka thënë për Telegrafin se ajo çfarë ka parë nëpër rrjetet sociale është tepër shqetësuese.
Sipas tij, ai si prizrenas ndihet tepër keq për “dëmtimin që po i ndodh këtij monumenti të kulturës”, duke shtuar “se nuk e kupton se si me kaq lehtësi shkatërrohet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore”.
“Unë mendoj se ai arkitekt që e ka propozuar këtë fasadim, dhe ai që e ka pranuar punën, duhet që të burgosen, për këtë përdhosje të këtij objekti. Kjo është si me marrë pikturën e Monalizës edhe me shkarravitë në të. Unë dyshoj se një ditë personat me një mendësi të tillë, kanë me fillu edhe në kalanë e Prizrenit me fut termoizolim, me i bo dritaret e aluminit, duke shkatërruar kështu çdo monument të kulturës”, ka thënë Gjurgjiali.
Në anën tjetër, kanë reaguar edhe njerëz të medies kosovare, duke shprehur keqardhje për pamjen e re të hamamit.
Publicisti Adriatik Kelmendi, për ngjarjen në fjalë, shkruan: “Kur mungon llogaridhënia dhe ndëshkimi, mund të bëhet edhe kësi krimi!. Idiotësia s’kishte kufij”.
E analisti Arben Ahmeti, i cili është prizrenas, ka shkruar “O vendi im”, duke treguar trishtimin e tij, për pamjen e re të hamamit.
Ndërsa, qytetarë tjerë, duke e komentuar këtë akt, kanë shkruar: “Duhet mi shti në burg pa të drejt gjykimi, as kurrfarë të drejt njerëzore. Këta nuk janë njerëz, PIKË”.
Një qytetar tjetër i mllefosur, ka theksuar “që kjo është e njëjtë sikurse shtyllat e koloseumit me i mbështjell me alokobond-alumin.
“Pak është burgu!”, shkruar edhe një tjetër.
“Kjo është njëjtë sikur me ngjyros ndonjë afresk të Michelangelos me ngjyrë të bardh… Më vjen shumë keq”, ka shkruar një tjetër. /Telegrafi/