Telegrafi

Krijohen pulla postare në nder të gazetares dhe kantautores avangarde, Violeta Rexhepagiqi

Foto: Screenshot/Facebook

Posta e Kosovës ka lëshuar së fundmi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Personalitete – Violeta Rexhepagiqi”.

Kjo në shenjë nderimi për gazetaren dhe kantautoren e njohur të viteve të ’80-ta.

Njoftimi është bërë nga faqja zyrtare e ‘Posta e Kosovës’ me një shkrim në Facebook.

Foto: Screenshot/Facebook

Shkrimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Nga sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Personalitete – Violeta Rexhepagiq”, për nderim të gazetares dhe kantautores avangarde të rok skenës kosovare të viteve ’80-ta.

Violeta Rexhepagiq u lind në Prishtinë, në shkurt të vitit 1965. Karrierën muzikore e filloi në fëmijëri, si interpretuese e rreth 40 këngëve për fëmijë. Ndërkaq, në vitet e ’80-ta solli një stil unik dhe avangardë në rok skenën kosovare.

Ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së ish Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”, njëherë me grupin “Vivien” dhe njëherë si soliste.

Përpos si interpretuese, Violeta ishte autore dhe gazetare e disa emisioneve në Televizionin e Prishtinës. Me mbylljen e TVP-së, Violeta angazhohet nga Skyneës si raportuese nga zonat e luftës. Pas luftës në Kosovë, e vazhdoi veprimtarinë në lëmin e gazetarisë në RTK, deri më ndarjen e hershme nga jeta në vitin 2020.

Posta e Kosovës përmes Filatelisë së saj edhe në të ardhmen do të nderojë personalitete të shquara, me të cilat do të afirmojë vendin tonë në gjithë botën. /Telegrafi/