Krijimi i zonave ekonomike në pothuajse çdo komunë të Kosovës po konsiderohet nga përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë e panevojshme për një treg siç është Kosova. Ata thonë se zonat ekonomike janë themeluar pa ndonjë analizë të mirëfilltë në kuptimin e zhvillimit të një zone.
Vendimet për krijimin e zonave ekonomike, në shumicën e rasteve janë marrë me motive politike, ka thënë për Radio Kosovën, eksperti i ekonomisë Berim Ramosaj.
“Në shumicën e rasteve kur janë dhënë këto vendime janë marrë të motivuara politikisht ta përkrahin apo mos ta përkrahin një komunë. Është dashur të bëhet një analizë e thellë e këtyre zonave sa është impakti i zhvillimit rajonal dhe në zhvillimin ekonomik të tërë Kosovës”, tha Ramosaj.
Krijimi i zonave të lira ekonomike sipas profesor Ramosajt duhet të vihet në kontekst të madhësisë së Kosovës si shtet dhe si ekonomi e tregut. Ai thotë se e tërë Kosova duhet të shpallej zonë e lirë ekonomike dhe bizneseve tu jepej mundësi e barabartë.
Ndërkaq afaristi Burim Piraj mendon se mirë është të ketë sa më shumë zona ekonomike, për shkak të dyndjes së popullatës nëpër qytete të mëdha.
“Ndërkaq zonat ekonomike duhet të kenë infrastrukturë të mirëfilltë në mënyrë që investitorët të kenë mundësi të investojnë në zonat rurale”, ka thënë Piraj.
Përveç kritikave se krijimi i zonave ekonomike është bërë me motive politike, eksperti Berim Ramosaj kritikon edhe vendndodhjen e tyre, në hyrje e dalje të qyteteve. Ramosaj e vlerëson këtë si xhungël urbane që u mohon qytetarëve lëvizjen e lirë.
“Ka raste kur edhe hapësirat gjelbëruese janë dëmtuar. Këtu është konflikt publiko provat. Ku komunarët kanë ra në provim duke u munduar ti japin shans zhvillimit ekonomik kanë mohuar të drejtën elementare të qytetarit”, tha Ramosaj.
Janë disa zona ekonomike të cilat veprojnë në Kosovë, parku i biznesit në Drenas, Mitrovicë e në Vushtrri, parku teknologjik në Skenderaj e në Shtime, zona industriale në Suharekë, parku industrial holandez në Prizren, zona ekonomike në Gjilan si dhe në Ferizaj. Për të lehtësuar punën e bizneseve, në vitin 2009, Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për Zonat Ekonomike.
Ligji parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative. /Telegrafi/