Site icon Telegrafi

Krijimi i “Kalifatit amerikan”

Nesrine Malik

Po të kishte një libër udhëzues për diktatorë, administrata e presidentit Donald Trump do të ishte në kapitullin e “instrumentalizimit të fesë”. Javën e shkuar, Prokurori i Përgjithshëm i Amerikës, Jeff Sessions, në atë që dukej si nisja e një kalifate amerikane, përmendi një pjesë të Biblës për të mbrojtur politikën e Trumpit për të ndarë fëmijët nga prindërit emigrantë në kufirin me Meksikën, duke sugjeruar se Zoti e mbështet qeverinë.

“Dua t’ju citoj apostullin Pal dhe urdhëresën e tij të mençur e të qartë te Romakët 13, ku thotë se duhen zbatuar ligjet e qeverisë, sepse Zoti e ka një qëllim që e ka urdhëruar atë qeveri”, tha Sessions. “Procedurat e ligjshme janë të mira. Zbatimi i qëndrueshëm dhe i drejtë i ligjit është një gjë e mirë dhe e moralshme, që mbron të dobëtin dhe të ligjshmit.”

Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders, u pyet nga gazetarët për deklaratën e Sessionit. Ata madje e sfiduan të citonte një pjesë të Biblës që pranon ndarjen e fëmijëve nga prindërit. Ajo u përgjigj: “Nuk jam në dijeni të komenteve të Prokurorit të Përgjithshëm apo të referencave që ka bërë ai. Por mund të them që është shumë biblike të zbatosh ligjin. Kjo përsëritet shpesh në Bibël.”

Është e vështirë t’i japësh kuptim politikave të administratës së Trumpit. Ato janë pasojë e tekave të një presidenti fëminor dhe kanë qëllim të kënaqin një Shtëpi të Bardhë të dobët, cinike dhe ideologjike. Nuk kanë asnjë plan që ta ndjekin rregullisht, por thjesht vrapojnë sa më fort për të arritur sa më shumë, në mënyrë që të kënaqin bazën e votuesve, të cilët janë të mbushur me mëri e zemërim. Megjithatë, në disa çaste tregojnë se po ndryshojnë drejtim, edhe pse pa plan, vetëm për të treguar që e kanë një drejtim. Forcat të cilat e vunë Trump-in në pushtet kanë hartuar një udhë që duan të ndiqet, dhe këto forca duhen ushqyer. Të ushqyerit e duhet bërë me gjithçka që të jetë e mundur.

Pas tragjedisë në Charlottesville, ku një grua humbi jetën pasi u shtyp me makinë nga një person që kishte pikëpamje raciste e pro-naziste, Trump tha se për dhunën duheshin fajësuar të dyja palët. Kështu po normalizonte idenë e supremacisë së të bardhëve. Kur Trump nisi politikën për të sulmuar shtypin, ishte një sulm kundër llogaridhënies së qeverisë . Tani, administrata e tij po përdor fenë për të shfajësuar veprimet e tyre, dhe ky është një tjetër hap që hidhet në një drejtim shumë alarmues. Qeveria jo vetëm që nuk jep llogari, por po i shërben vullnetit të Zotit. Njeriu nuk duhet të përqendrohet te mizoria e ligjit, duhet vetëm t’i bindet sovranit. Sessions, myftiu i madh, është ai që e shpalli këtë fetva.

Ata që janë rritur në botën arabe, ku islami përdoret shpesh nga regjimet “laike” për të goditur kundërshtarët politikë, janë mësuar me këto farsa përkushtimi fetar. Për ata, evolucioni autoritar i administratës së Trumpit u jep një ndjesi ngjethëse por edhe ngushëlluese, njëkohësisht. Ka arsye se pse ato regjime nuk i heqin ligjet e blasfemisë. Ato ligje janë shumë praktike për të “spastruar” radhët e kundërshtarëve politikë. Është e frikshme të shohësh se si feja po përdoret kështu edhe në një vend që supozohet i sofistikuar, me demokraci liberale. Sidomos për faktin që përdoret ky element i fesë, që e kthen politikën në thjesht nënshtrim. Por është ngushëlluese, në një mënyrë mizore, që të vërtetohet se njerëzit nuk kanë evoluar në asnjë vend të botës aq sa të shkojnë përtej instrumentalizimit të fesë për të shfajësuar tiraninë. Gjëja më acaruese për diktatorin në SHBA nuk është se kjo po ndodh, por sepse po ndodh në mënyrë kaq të parashikueshme.

Tmerri i doktrinës së Trumpit nuk është te rinovimi, por te imitimi që bën. Muajt e fundit janë një dëshmi e faktit që historia nuk i përket të shkuarës; që kalimi i viteve nuk do të thotë se ka patjetër zhvillim. Citimi biblik i kryeprokurorit Session është përdorur edhe në vitet 1840 e 1850 për të shfajësuar skllavërinë. Kur kundërshtarët argumentonin se skllavëria ishte mizore dhe që ndarja e familjeve ishte shkelje e etikës fetare, ata kundërshtoheshin nga argumenti se feja thotë që duhet zbatuar ligji. John Fea, një profesor historie në kolegjin Messiah të Pensilvanisë, tha për Uashington Post se “Romakët 13” citohej në shekullin e 18-të dhe të 19-të si manipulim i shkrimeve të shenjta për të shfajësuar programet politike. Sessions po bën të njëjtën gjë. Pra, nga kjo pikëpamje, ka vazhdimësi.

Përdorimi i besimit të thellë fetar bëhet bajat sidomos kur merr parasysh sjelljen e këtij sovrani të shenjtë që hiqet sikur Zoti i ka caktuar vullnetin e Tij. Trump ka shkelur kurorën në të tria martesat. Se sa shkon në kishë, shpjegohet me pak fjalë nga deklarata ku thotë se “nuk i ka kërkuar kurrë falje Zotit”, dhe kungimit i është referuar si “vera dhe biskota e vogël”. Megjithatë, mori 80% të votave nga evangjelistët e bardhë. Amy Sullivan tha në New York Times se “propaganda e përdorur për dhjetëra vite kundër liberalëve dhe liberalëve fetarë ka funksionuar. 80 për qind e evangjelistëve të bardhë do të votonin edhe kundër Jezu Krishtit, nëse ai kandidon si demokrat”.

Ky është elementi më i mbrapshtë dhe më i fuqishëm në librin udhëzues të një diktatori: pakti me bazën e votuesve. Çdo politikë, çdo fjali, shprehet për të kënaqur audiencën specifike, jo për kuptimin objektiv. Gjatë fushatës zgjedhore, kur Trump tha se “nuk e sheh më gjëkundi shprehjen Gëzuar Krishtlindjet”, ai nuk po shprehte shqetësimin e tij për humbjen e vlerave të krishtera. Ai po ushqente paranojën dhe ankthin e nativistëve për humbjen e racës dhe identitetit. Nuk ka asnjë doktrinë Trump-i, por ka një kod Trump-i, që përcillet nga Shtëpia e Bardhë te votuesit. /TCH/

Exit mobile version