Site icon Telegrafi

Kreu vrasje të dyfishtë 47 vite më parë, greko-australiani arrestohet tani në Itali

I dyshuari për vrasjen brutale të dy grave në Melbourne të Australisë më 1977 është Perry Kouroumplis greko-australiani që u arrestua në Romë.

Autoritetet italiane prangosën 65-vjeçarin në aeroportin e Romës, Fiumicino gjatë të enjtes, pasi udhëtoi me aeroplan nga Greqia, transmeton Telegrafi.

Shefi i policisë në Victoria, Shane Patton tha se 65-vjeçari ishte i dyshuar për shumë vite dhe ishte lëshuar urdhër-arrest që bazohej në dy pika – atë për vrasje dhe përdhunim.

Policia australiane njoftoi të shtunën se do të fillojnë procesin e ekstradimit të dyshuarit, kurse gjykata italiane do të përcaktojë nëse janë plotësuar të gjitha kushtet.

I dyshuari akuzohet për disa therje me thikë që rezultuan faltë për dy vajzat – Susan Armstrong, 27-vjeçe dhe Susan Bartlett, 27, në janar të vitit 1977, rast ky që shokoi australianë dhe konsiderohej një prej më të rëndëve – krim i pazgjidhur i njohur si “vrasjet në rrugën Easey”.

Perry Kouroublis ishte 16-vjeçar asokohe dhe nxënës i shkollës së mesme Collingëood, ku Susan Bartlett ishte arsimtare e artit.

Trupi i pajetë i Bartletts është gjetur në afërsi të derës së shtëpisë së saj. Ajo ishte therur 55 herë. Në dhomën e gjumit është gjetur trupi i “cimeres” Susan Armstrong, e cila ishte përdhunuar dhe therur mbi 20 herë, dhe kishte tri plagë në zemër. Djali 16-muajsh i Armstrong është gjetur i dehidratuar në dhomën tjetër.

Sipas ueb-faqes australiane The Age, Kouroublis është marrë në pyetje për një javë pasi ishin gjetur trupat e pajetë, derisa thika me të cilën janë kryer krimet është gjetur në bagazhin e veturës së tij.

Kouroublis, asokohe adoleshent, pati thënë se e kishte gjetur në shina të trenit në Collingwood gjatë 10 janari rreth orës 22:20, 90 minuta pasi dy viktima u panë për herë të fundit gjallë.

Doli se gjaku në thikë ishte i njeriut dhe i tipit A pozitiv – i njëjti tip i gjakut si i Armstrong.

Policia beson se vrasësi ishte futur në shtëpinë e grua pa përdorur forcë. Ai më pas kishte përdhunuar Armstrongun dhe më pas e kishte therur nënën beqare 27-vjeçe në dhomën e saj të gjumit.

Bartlett me gjasë kishte dëgjuar zërin dhe kishte shkuar për të parë se çfarë po ndodhë. Sulmuesi më pas kishte therur edhe atë për vdekje.

Policia u tha gazetarëve se vrasësi me gjatë “kishte njohur të paktën një pre viktimave dhe se kohë pas kohe kishte shkuar në shtëpinë e saj”.

Autoritet kishin ofruar 1 milionë dollarë shpërblim gjatë vitit 2017 për këdo që ka informacione që do të çonin në arrestimin dhe dënimin e kujtdo që ishte përgjegjës për vrasjen e dy grave.

Në të njëjtin vit, Kouroumplis i ishte kërkuar të ofrojë mostër të ADN-së, megjithatë pas kërkesave relevante të policisë australiane, ai kishte udhëtuar dhe ikur për në Greqi “për disa ditë pushime” dhe kurrë më nuk ishte kthyer. /Telegrafi/

Exit mobile version